Qyteti i Shkupit u bën thirrje taksapaguesve të shlyejnë detyrimet, kanë borxh mbi 36 milionë euro

Qyteti i Shkupit u bën thirrje të gjithë taksapaguesve të shlyejnë detyrimet për tatimin në pronë, qarkullim, trashëgimi, dhurata dhe firmarinë. Ata shtojnë se tatimet në pronë dhe taksat komunale janë burimi kryesor i të ardhurave të Qytetit të Shkupit, të cilat financojnë funksionet bazë, projektet infrastrukturore dhe institucionet publike. Nga vitit 2020 deri në 2025, borxhi i papaguar i qytetarëve dhe kompanive ka kaluar 36 milionë euro, transmeton Portalb.mk. 

“Tatimet në pronë dhe taksat komunale janë burimet kryesore të të ardhurave të Qytetit të Shkupit. Mjetet e gjeneruara nga këto të ardhura mundësojnë financimin e funksioneve themelore të Qytetit, zbatimin e projekteve infrastrukturore, bashkëfinancimin e shërbimeve të ofruara nga kompanitë e shërbimeve dhe institucionet publike, si dhe financimin e kostove të shkollave të mesme në Qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të Sektorit për Taksa në Pronë dhe Taksa Komunale, për periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2025, në bazë të taksave dhe tarifave, qytetarët dhe kompanitë kanë borxh ndaj Qytetit të Shkupit në shumën mbi 36 milionë euro.

U kërkohet të gjithë taksapaguesve (persona juridikë dhe fizikë) që nuk kanë paguar tatimin në pronë, tatimin në qarkullim, tatimin në trashëgimi dhe dhurata dhe tatimin komunal-firmarina që të shlyejnë detyrimet e tyre tatimore sa më shpejt të jetë e mundur.

Borxhin mund ta shikoni, të shkarkoni vendimet për taksat dhe tarifat, si dhe të bëni pagesë elektronike të borxhit përmes platformës elektronike të Qytetit të Shkupit në këtë link: https://danoci.skopje.gov.mk/gskopje/root/public/login.xhtml.

Qyteti i ShkupitTaksaTatim në pronëTatim personal