Qyteti i Shkupit njoftoi spërkatje ajrore dhe tokësore kundër mushkonjave për ditët në vijim

Duke filluar nga nesër dhe deri më 26 gusht, Qyteti i Shkupit do të realizojë dezinsektim ajror dhe tokësor kundër mushkonjave, njoftuan pak më parë nga Qyteti i Shkupit. Spërkatja do të realizohet gjatë disa ditëve, në orare të përcaktuara, transmeton Portalb.mk.

“Dezinsektimi ajror në territorin e qytetit të Shkupit, kundër mushkonjave, do të realizohet më 20.08.2026 (e enjte) dhe 21.08.2026 (e premte), në orët e hershme të mëngjesit. Dezinsektimi tokësor në territorin e qytetit të Shkupit, kundër mushkonjave, do të fillojë më 23.08.2026 (e diel) dhe do të zgjasë deri më 26.08.2026 (e mërkurë), në periudhën nga ora 22:00 deri në orën 03:00 të ditës së ardhshme”, thuhet në njoftim.

Nga Qyteti i Shkupit theksojnë se, nëse kushtet atmosferike nuk lejojnë realizimin e dezinsektimit, ai do të kryhet ditën e parë pasuese kur kushtet atmosferike të jenë të përshtatshme, në të njëjtat orare.

“U bëjmë thirrje bletarëve që me kohë të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.

Më herët gjatë ditës, LSDM-ja e akuzoi kryetarin e Shkupit, Orce Gjorgjievskin, se ka dështuar me masat parandaluese, për shkak të të cilave, sipas tyre, Shkupi është “nën rrethim” nga mushkonjat që bartin infeksione.

Nga VMRO-DPMNE-ja iu përgjigjën se jo vetëm që është spërkatur me kohë kundër mushkonjave, por deri më tani kjo është bërë 13 herë.

“Për më tepër, deri në fund të sezonit do të realizohen më shumë se 20 dezinsektime kundër mushkonjave. Përveç spërkatjeve të rregullta, janë bërë edhe tri spërkatje sipas indikacioneve, dy në Draçevë dhe një në Gazi Babë. Paralelisht punohet edhe në identifikimin e ujërave të ndenjura, pasi ajo që nevojitet në këtë moment është spërkatja nga toka dhe jo ndonjë lloj tjetër spërkatjeje. Gjithçka që është në kompetencën e institucioneve përgjegjëse po ndërmerret. Nga LSDM-ja, përveç akuzave dhe demagogjisë, asgjë tjetër nuk presim. Prandaj edhe janë aty ku janë”, deklaruan nga partia në pushtet.

Më 12 gusht është shpallur epidemi e etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në lagjet Draçevë, Przhino, Dolno Lisiçe, Kadino dhe Jurumleri.

Aktualisht janë regjistruar 36 raste të konfirmuara dhe 2 raste të mundshme të etheve të Nilit Perëndimor. Katër persona kanë humbur jetën.

Dezinsektim - DeratizimLidhja Social Demokrate (LSDM)Qyteti i ShkupitVMRO-DPMNE