Banorët e Kumanovës, të cilët në periudhën e kaluar ishin të angazhuar nga kompanitë amerikane në bazat ushtarake në Irak dhe Afganistan, sot protestuan përsëri para zyrës rajonale të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, raporton MIA.
Ata kërkojnë nga shërbimet kompetente t’ua pranojnë provat që kanë paraqitur, midis të cilave janë pasaportat me vula kufitare, certifikatat nga punëdhënësit dhe dokumente të tjera, që sipas tyre vërtetojnë se kanë munguar nga vendi për më shumë se 183 ditë gjatë vitit. Disa prej tyre thanë se kompanitë amerikane për të cilat punonin ua dërgonin faturat për taksat e paguara, atyre që punonin në Irak, gjë që nuk është rasti me kompanitë për të cilat punonin në Afganistan.
Siç theksojnë, arsyeja e protestave është përcaktimi i gabuar i rezidencës tatimore, me të cilën vendoset detyrim për të paguar tatim mbi të ardhurat e fituara jashtë vendit. Ata besojnë se institucionet nuk i marrin parasysh kushtet reale të qëndrimit dhe punës së tyre jashtë vendit, as kohën që kanë kaluar jashtë Maqedonisë.
Kujtojmë se, më 13 dhjetor, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre kishin pretenduan se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.