Qeveria e RMV-së promovoi tre spitale me blloqe kirurgjikale të rinovuara brenda tre muajsh, por asnjëri ende nuk është në funksion

Gjatë tre muajve të fundit, Qeveria promovoi me ceremoni sallat kirurgjikale të rinovuara në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup dhe në Spitalin e Strumicës. Megjithatë, deri më sot asnjëra prej këtyre sallave nuk është vënë në funksion, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Më 6 prill, funksionarë shtetëror, të kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, prezantoi gjashtë salla tërësisht të rinovuara në repartin e kirurgjisë të Klinikës për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, si dhe në Qendrën Urgjente (TOARILUC). Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi atëherë se në periudhën në vijim do të rinovoheshin edhe katër salla të tjera me mjete të siguruara nga Qeveria. Projekti ka një vlerë prej 282 milionë denarësh (mbi 4.5 milionë euro) për rinovimin e gjithsej 10 sallave operative. Drejtori i TOARILUC-it, dr. Igor Merxhanoski, tha se projekti është ndarë në dy faza për të mos ndërprerë punën e shërbimeve të kujdesit shëndetësor terciar.

Në pyetjen se kur do të jenë gati sallat operative të TOARILUC-it, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj:

“Në lidhje me sallat operative në klinikat kirurgjikale, aktualisht po zhvillohet procedura për kryerjen e analizave të nevojshme mikrobiologjike, përkatësisht marrja e tamponëve. Pas marrjes së rezultateve negative, në përputhje me protokollet, pritet që sallat operative të vihen në funksion gjatë javës së ardhshme.”

Më 13 maj, funksionarë shtetëror, sërish të kryesuar nga Mickoski, promovoi departamenti e rinovuar kirurgjikal të Spitalit të Përgjithshëm “8 Shtatori”, i cili është rikonstruktuar përmes programit të TAV-it për projekte infrastrukturore. Janë rindërtuar plotësisht blloku operativ, njësia e kujdesit intensiv, patologjia, laboratori klinik dhe konstruksioni i çatisë së spitalit. Atëherë u tha se objektet do të viheshin në funksion brenda një ose dy muajve, pra gjatë qershorit ose korrikut.

Në pyetjen konkrete se kur do të hapen sallat operative në Spitalin “8 Shtatori”, Ministria e Shëndetësisë nuk dha një afat të saktë, por u përgjigj:

“Së pari theksojmë se janë përfunduar punimet infrastrukturore në sallat operative edhe në Spitalin e Përgjithshëm ‘8 Shtatori’. Janë investuar gjithsej mbi 17 milionë euro. Fillimisht u ndërmorën masat për sigurimin e kushteve sterile dhe respektimin e plotë të standardeve të asepsës dhe antisepsës. Më pas vjen pajisja, për të cilën punonjësit e bllokut operativ do të duhet të kalojnë trajnime përkatëse. Në fazën e ardhshme, të gjitha inspektoratet kompetente duhet të kryejnë kontrollin e ambienteve, të lëshojnë lejen e përdorimit dhe më pas të realizohet pranimi teknik.”

Më 17 qershor, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se departamenti i ri i Spitalit të Strumicës, pas 40 vitesh nga fillimi i ndërtimit, pritet të vihet në funksion gjatë vjeshtës.

“Për këtë objekt u prit rreth 40 vjet. Tani mbetet vetëm një pajisje shtesë e vogël, e cila duhet të përfundojë deri në fund të gushtit, ndërsa në fillim të shtatorit objekti të vihet në funksion”, tha Mickoski.

Në pjesën e re të spitalit, e cila disponon me tetë salla operative, planifikohet të vendosen repartet kirurgjikale, përfshirë Kirurgjinë, Gjinekologjinë, Urologjinë, Repartin e Syve dhe Ortopedinë me Traumatologji. Vlera e përgjithshme e investimit arrin në 279.3 milionë denarë (rreth 4.5 milionë euro).

Ministria e Shëndetësisë (MSH)Qendra Klinike ShkupQeveria e Maqedonisë së VeriutSpital(e)Spitali "8 Shtatori" Shkup