Qeveria e Maqedonisë miratoi nevojën për krijimin e operatorit të tregut të gazit

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale informon se Qeveria e Republikës së Maqedonisë shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për nevojën e krijimit të një operatori të tregut të gazit natyror dhe miratoi konkluzionet përkatëse për ndërmarrjen e hapave konkretë për funksionalizimin e tij, transmeton Portalb.mk.

Në përputhje me konkluzionet e miratuara, rekomandimet dhe detyrimet i referohen MEMO SHPKNJP Shkup, e cila duhet të nisë procedurën dhe procesin për krijimin e operatorit të tregut të gazit natyror, në përputhje me dispozitat ligjore në fushën e energjetikës.

MEMO SHPKNJP Shkup ka detyrimin të përgatisë dhe të dorëzojë një plan gjithëpërfshirës që do të përfshijë të gjithë parametrat organizativë, teknikë, të TI-së, legjislativë dhe financiarë, si dhe të informojë rregullisht, të paktën një herë në tre muaj, Qeverinë, Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Ministrinë e Financave dhe Komisionin Rregullator për Energjetikë për progresin e aktiviteteve.

Kuadri ligjor për organizimin dhe menaxhimin e tregut të gazit si veprimtari energjetike e rregulluar dhe me interes publik është përcaktuar me Ligjin për Energjetikë që në vitin 2018. Pavarësisht se me këtë ligj me sukses është krijuar një treg funksional i energjisë elektrike përmes themelimit të MEMO SHPKNJP Shkup, struktura përkatëse institucionale për sektorin e gazit është krijuar vetëm në vitet e fundit.

Përmes analizave të detajuara dhe përgatitjes së këtij informacioni, janë shqyrtuar modelet rajonale të tregut, nga sistemet plotësisht të liberalizuara, si ato të Austrisë dhe Hungarisë, deri te modelet hibride në Greqi, Kroaci, Bullgari dhe Rumani. Nga kjo është arritur në përfundimin se krijimi i një subjekti të ri dhe të veçantë do të kërkonte një periudhë të gjatë për zbatimin, kosto të larta administrative dhe operative, si dhe procese të ndërlikuara.

Në të kundërt, MEMO SHPKNJP Shkup tashmë disponon një platformë funksionale të TI-së, një sistem të zhvilluar për barazimin e tregut dhe ekspertizë të dëshmuar në menaxhimin e tregjeve energjetike.

“Dhënia e kompetencës për tregun e gazit MEMO SHPKNJP-së përfaqëson zgjidhjen më racionale, më të favorshme dhe më të shpejtë. Kjo qasje është plotësisht në përputhje me praktikat evropiane për tregjet në tranzicion dhe mundëson krijimin gradual të një operatori të integruar (të kombinuar) të tregut për energjinë elektrike dhe gazin natyror.

Miratimi i këtyre konkluzioneve dhe dhënia e kësaj funksioni kanë rëndësi thelbësore dhe strategjike për Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, si dhe për të gjithë sektorin energjetik në vend, sa i përket përgatitjes së interkonektorëve të gazit, konkurrencës dhe transparencës në treg, harmonizimit me rregullativën e BE-së dhe efikasitetit institucional”, thonë nga Ministria.

Ata shtojnë se Republika e Maqedonisë po punon intensivisht në projektet kryesore infrastrukturore – interkonektorët e gazit me Greqinë, me planifikim për vënien në përdorim në mesin e vitit 2027, dhe me Serbinë, në fund të vitit 2028. Këto projekte do të mundësojnë qasje në burime të reja të furnizimit, përfshirë terminalet LNG, si dhe një valë të re të flukseve tregtare. Pa një operator funksional të tregut, përdorimi efikas i kësaj infrastrukture të re do të ishte i pamundur.

“Prandaj, krijimi i operatorit mundëson kalimin nga faza fillestare e liberalizimit drejt pjekurisë së tregut të gazit, krijimin e çmimeve transparente dhe të bazuara në treg, si dhe vendosjen e mekanizmave efikasë të balancimit në interes të pjesëmarrësve në treg dhe konsumatorëve përfundimtarë.

Me këtë hap, Ministria dhe shteti përmbushin drejtpërdrejt detyrimet e marra nga kuadri rregullator evropian dhe objektivat e Komunitetit të Energjisë për integrim të plotë me tregjet rajonale”, thonë nga Ministria.

Gjithashtu, përmes shfrytëzimit të kapaciteteve të MEMO SHPKNJP Shkup, sigurohet kursimi maksimal i mjeteve dhe burimeve publike, duke garantuar një kalim të shpejtë, operacional dhe të sigurt drejt organizimit përkatës të tregut.

Efikasiteti energjetikEnergjetikëGazi natyrorMinistria e Energjetikës Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM)Qeveria e Maqedonisë së Veriut