Nga Zelenikova në Shkup, u lëshua në përdorim linja e parë e “Trenit të qytetit”

Është vënë në përdorim linja e parë e trenit të qytetit që lidh Zelenikovën me Shkupin, ndërsa trenat në këtë linjë pritet të qarkullojnë tetë herë gjatë ditës.

Me një udhëtim simbolik nga stacioni hekurudhor në Zelenikovë drejt Shkupit, kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtorin e NP “HM – Infrastruktura”, Sinisha Ivanovski, dhe kryetarin e Shkupit, Orce Gjorgjievski, shënuan zyrtarisht vënien në përdorim të linjës së parë nga tri linjat e trenit të qytetit.

Sipas kryeministrit, kushtet në linjën nga Zelenikova deri në qendër të Shkupit janë në nivel evropian, duke vlerësuar se me trenin e qytetit, nga tani e tutje, do të udhëtohet shumë më shpejt nga Zelenikova në Shkup.

“Me këtë nuk i zgjidhim të gjitha problemet që kemi, por ky është një hap përpara në zgjidhjen e një pjese të problemeve në transport dhe në mjedis, veçanërisht duke pasur parasysh se para nesh është sezoni i ngrohjes dhe sfidat që sjell ai”, tha Mickoski.

Ai shtoi se realizimi i projektit për rreth një vit përbën një periudhë relativisht të shkurtër.

Për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, “Treni i qytetit” është fillimi i realizimit të një vizioni që duhet të sjellë transport publik më efikas, mbrojtje më të madhe të mjedisit, ulje të ndotjes dhe mobilitet më të madh të banorëve të Shkupit dhe komunave përreth kryeqytetit.

“Kjo është dëshmi se ajo që para dy vitesh konsiderohej e harruar dhe e braktisur, pra transporti hekurudhor, po rikthehet në jetë. Nëse para dy vitesh kishim hekurudha tërësisht të braktisura, stacione hekurudhore të mbyllura që po shkatërroheshin, trena dhe lokomotiva jofunksionale, sot kemi transport të qartë dhe aktiv të mallrave, ndërsa që nga dje kemi edhe ‘Trenin e qytetit’. Premtuam se do të fillonte më 1 shtator dhe kështu ndodhi. Shpresoj se do t’u ndihmojë shumë edhe nxënësve dhe gjimnazistëve, njerëzve që duan të arrijnë në vendet e tyre të punës, si dhe pensionistëve”, tha Nikolloski.

Sipas tij, po punohet edhe në projektimin e dy linjave të tjera të këtij projekti.

Linja e dytë parashikon lidhjen nga Milladinovci, përmes Ilindenit dhe Maxharit, deri te stacioni qendror hekurudhor në Shkup, ndërsa linja e tretë do të shtrihet nga stacioni qendror hekurudhor, përmes Shkupit-Veri dhe Gjorçe Petrovit, deri në Volkovë.

Nga Shkupi në Zelenikovë për më pak se 25 minuta

Drejtori i NP “HM – Infrastruktura”, Sinisha Ivanovski, informoi se udhëtimi nga Zelenikova në Shkup dhe anasjelltas do të zgjasë më pak se 25 minuta.

“Nga Zelenikova në Shkup tani kemi 25 kilometra rrjet hekurudhor të rikonstruktuar. Në këtë linjë kishte traversa betoni të viteve 1959 dhe 1963, ndërsa gjendja e hekurudhës ishte jashtëzakonisht e keqe, për shkak të së cilës trenat qarkullonin ngadalë, madje me shpejtësi prej vetëm 20 kilometrash në orë. Në këtë moment trenat qarkullojnë pa probleme me shpejtësi prej 80 kilometrash në orë, ndërsa në pjesë të caktuara deri në 100 kilometra në orë. Nga Shkupi në Zelenikovë arrihet për më pak se 25 minuta”, theksoi ai.

Në këtë linjë, tha ai, ka disa stacione dhe pika ndalimi, si dhe 11 kalime hekurudhore, ndërsa në secilin stacion do të ketë edhe parkingje për biçikleta.

Ai u bëri apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë sinjalistikën në kalimet hekurudhore.

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, shprehu shpresën se me të njëjtën dinamikë dhe ritëm do të realizohen edhe dy fazat e ardhshme për përmirësimin e transportit publik në kryeqytet.

“Kjo është një nga alternativat në transport që duhet t’i nxjerrë qytetarët nga automjetet. Faza e dytë është modernizimi i NQP ‘Shkupi’, për të cilin procedura ka përfunduar dhe është nënshkruar marrëveshja. Së shpejti do të mbërrijnë 100 autobusët e rinj. Faza e tretë është realizimi i projektit BRT, ku gjithçka ka përfunduar. Në 10 ditët e ardhshme do të shpallet tenderi për përzgjedhjen e operatorit. Po ecim shpejt, po modernizohemi shpejt dhe si Qytet i Shkupit kemi mbështetje të fuqishme nga Qeveria”, tha Gjorgjievski.

Çmimi i biletës për trenin e qytetit është 40 denarë në një drejtim ose 70 denarë për biletë vajtje-ardhje.

Hristijan Mickoski HristianJP Hekurudhat e Maqedonisë së VeriutOrce GjorgjievskiTreni