Mbrojtja mohon sfungjerin poliuretanik në “Puls”, ekspertët pretendojnë të kundërtën

Marijana Lazarevska, eksperte për ekspertizën ndërtimore në ekipin e Goran Markovskit nga Fakulteti i Ndërtimtarisë, iu përgjigj pyetjeve të kryqëzuara të avokates së të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, pronarit të diskotekës “Puls” në Koçan, ku si pasojë e vetëm një dere për dalje dhe veçanërisht për shkak të përbërjes së materialeve lehtësisht të ndezshme dhe toksike me të cilat ishte mbështjellë diskoteka, një zjarr i vogël u zhvillua me shpejtësi duke arritur temperaturë prej 800 gradë Celsius. Si pasojë, humbën jetën 63 të rinj, ndërsa mbi 220 persona u lënduan, transmeton Portalb.mk.

“Përsëri po i lexoni në mënyrë selektive rregulloret, po bëni pyetje që i kemi përgjigjur dhe elaboruar tri herë, nga ekspertizat shihni sfungjerët sipas ngjyrës, por nuk lexoni për përbërjen e sfungjerit poliuretanik që kemi konstatuar”, reagoi Lazarevska ndaj pyetjeve të avokates gjatë seancës së sotme gjyqësore në Idrizovë për zjarrin.

Në disa momente, situata ngjante me keqtrajtimin e dëshmitares, por gjyqtarja i lejoi pyetjet si pjesë e të drejtës ligjore të mbrojtjes, duke paralajmëruar vazhdimisht edhe ajo se po bëheshin pyetje për të cilat tashmë ishte dhënë përgjigje.

Lidhur me ngjyrën e sfungjerit, e cila për arsye të panjohura ishte e rëndësishme për avokaten e Jovanovit, u përfshi edhe Goran Markovski.

“Bazë për pretendimin tonë se çfarë ishte vendosur në tavan ishin ekspertizat forenzike, si dhe ato të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore. Në mënyrë specifike, për këtë material, pra sfungjerin, është konstatuar se gjatë djegies ai çliron monoksid karboni dhe cianur, ndërsa e dimë se në cilat momente historike është përdorur cianuri”, rikujtoi profesori, duke iu referuar faktit se Hitleri përdorte cianur për të vrarë njerëz në dhomat e gazit.

Ndërkohë, familjarët e viktimave të reja reaguan ashpër nga vendet e tyre, si për zvarritjen e kohës, ashtu edhe për faktin se për të qindtën herë duhet të dëgjojnë të njëjtat fakte të paraqitura më parë.

Marrja në pyetje e kryqëzuar vazhdon.

Rasti lidhet me zjarrin tragjik në “Puls”, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan.

Gjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKoçanKoçaniZjarri në diskotekën në Koçan