Në Teatrin e Tetovës, nesër (30 shtator) në ora 19:00, do të shfaqet performanca teatrore dokumentare “Qark i (pa) mbyllur burgjesh”, e bazuar në rrëfimet e Enver Dugollit të përmbledhura në librin me të njëjtin titull, nën regji të Yll Berishës, shkruan Portalb.mk.
Shfaqja sjell në skenë përjetimet e Dugollit dhe të burgosurve të tjerë shqiptarë në burgjet serbe, duke trajtuar dhunën sistematike ndaj të burgosurve politikë shqiptarë gjatë viteve të luftës në Kosovë, bombardimeve të NATO-s dhe periudhës së fundit të pushtimit serb.
Në qendër të rrëfimit janë edhe ngjarjet që lidhen me Masakrën e Dubravës, një nga episodet më të rënda të luftës në Kosovë. Përmes gjuhës së teatrit dokumentar, dëshmitë personale ndërthuren me interpretimin skenik, imazhin dhe materiale autentike nga ajo periudhë.
Një pjesë e rëndësishme e performancës është edhe përdorimi i video-materialeve autentike nga koha e bombardimeve dhe nga Burgu i Dubravës, të cilat i japin shfaqjes karakter të fuqishëm dokumentar.
“Qark i (pa)mbyllur burgjesh” u prezantua për herë të parë më 19 maj të këtij viti në Prishtinë, në kuadër të përkujtimit të Masakrës së Dubravës, ndërsa më pas është shfaqur edhe në qytete të tjera të Kosovës.
Përmes rrëfimeve autentike dhe përjetimeve të të mbijetuarve, shfaqja synon të ruajë kujtesën për dhunën në burgjet serbe dhe të sjellë para publikut një kapitull të rëndë të historisë së Kosovës.
Në shfaqje interpretojnë aktorët Afrim Muçaj dhe Artan Geca.