“Zotëriu i parë” u shpall shfaqja më e mirë në festivalin e Dibrës

Shfaqja “Zotëriu i parë” e Teatrit Shqiptar të Shkupit fitoi çmimin “Sulejman Pitarka” për shfaqjen më të mirë në edicionin e 25-të të Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, që përfundoi të martën në Dibër, shkruan Portalb.mk.

Mbrëmja përmbyllëse solli premierën e monodramës “Psikoza 4.48”, me motive nga Sarah Kane dhe regji të Besfort Idrizit. Pas shfaqjes, në sallën e mbushur të Qendrës për Kulturë në Dibër, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Shfaqjet u vlerësuan nga juria profesionale e përbërë nga Ismet Ramadani, Lesh Nikolla dhe Faik Gashi. Festivali u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Komunës së Dibrës dhe përkrahësve të tjerë.

Teatri Shqiptar i Shkupit mori edhe dy çmime për interpretimin. Visar Etemi u shpall aktori më i mirë dhe u nderua me çmimin “Qemal Ajdini”, ndërsa Abedin Alimi fitoi çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor.

Foto nga ndarja e çmimeve. Foto: Festivali “Teatri Shqiptar ne Maqedoni” – Dibër (Facebook)

Çmimi “Qemal Ajdini” për aktoren më të mirë iu nda Yllka Nuredinit për monodramën “Psikoza 4.48”, por aktorja e refuzoi atë.

Teatri i Tetovës u vlerësua me tri çmime për shfaqjen “Shtëpia pa dritare”. Saimir Gongo fitoi çmimin për regjinë më të mirë, ndërsa Merita Limani Mustafa dhe Sheqerije Ilazi u nderuan për interpretimin në role dytësore.

Çmimi për skenografinë më të mirë i takoi Valentin Svetozarevit për shfaqjen “Duke pritur Godonë” të Teatrit të Kumanovës, ndërsa Drini Shehu fitoi çmimin për kostumografinë e shfaqjes “Plaçka” të Teatrit “Petro Marko” të Vlorës.

Festival i teatritKultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatrore