Dhjetë ditë pasi u ngrit aktakuza, rasti për falsifikimin e patentave të shoferit mori edhe epilog gjyqësor. Tre nga gjithsej gjashtë të akuzuarit, të cilët ishin në dispozicion të organeve të ndjekjes, në seancën e mbajtur dje pranuan fajin dhe u dënuan me burgim, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për rastin në të cilin në mënyrë të paligjshme kategoritë C dhe D u shtoheshin patentave të shoferit të personave që nuk kishin dhënë kurrë provim për drejtimin e kamionit ose autobusit.
Për përfundimin e këtij rasti informoi kryetarja e Gjykatës Themelore Penale në Shkup, Daniela Dimovska, në një brifing me gazetarët.
Sipas informacioneve, e akuzuara e parë në këtë rast, e cila ishte e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, ndërsa ndaj të akuzuarit të dytë dhe të tretë gjykata ka shqiptuar gjithashtu dënime me burgim, në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë secili.
Siç sqaroi Dimovska, rasti ka përfunduar pasi është zhvilluar me propozim-aktakuzë, përkatësisht në procedurë të shkurtuar, ku nuk nevojitet vlerësimi i aktakuzës dhe nuk parashikohen fjalë hyrëse nga prokuroria dhe mbrojtja.
Tre të akuzuarve, shtoi ajo, u është vazhduar masa e paraburgimit.
„Prokuroria dorëzoi propozim-aktakuzë, për të cilën nuk bëhet vlerësim, procesi u caktua, të akuzuarit pranuan fajin dhe kjo është arsyeja pse ky rast përfundoi kaq shpejt. Paraburgimi u është vazhduar, ndërsa seanca u mbajt gjatë ditës së djeshme“, tha kryetarja e Gjykatës Penale.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike Shkup e ngriti aktakuzën kundër gjashtë personave më 19 shtator, ku përfshiheshin një punonjëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pesë shoferë. Tre nga të akuzuarit aktualisht nuk janë në dispozicion të organeve të ndjekjes.
Punonjësja e MPB-së, siç njoftuan atëherë nga Prokuroria, në cilësinë e këshilltares së re për dokumente udhëtimi në njësinë e Shkupit për punë administrative, gjatë periudhës nga 3 shtatori 2020 deri më 24 gusht 2026, në disa raste ka përdorur kodet e saj dhe ka ndryshuar patentat e shoferit, duke u shtuar kategori shtesë. Pesë shoferët e akuzuar në këtë rast, ndonëse e dinin se nuk kishin dhënë provim për kategoritë përkatëse, në marrëveshje me të akuzuarën e parë kanë dorëzuar kërkesa për lëshimin e patentave, në të cilat më pas janë shënuar këto kategori.
Dokumentet e falsifikuara ata më pas i kanë përdorur për të aplikuar dhe për të marrë certifikatë për pjesëmarrje në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Sipas Prokurorisë, ata në disa raste kanë drejtuar autobusë ose automjete transportuese në komunikacionin ndërkombëtar me patentat e falsifikuara.
Ndryshe, për futjen e të dhënave të pavërteta për kategoritë në patentat e shoferit, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal kundër gjithsej 27 personave, por Prokuroria deri tani ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave, nga të cilët tre tashmë kanë marrë aktgjykime të shkallës së parë.
Nga Prokuroria më 19 shtator njoftuan se po ndërmerren veprime dhe po mblidhen prova lidhur me 21 personat e tjerë.