E organizuar nga “Reaktor – Hulumtim në aksion” dhe me mbështetjen e rrjetit për gazetaret gra “Ednakva”, sot u mbajt punëtori “Gratë pas historive: Hapësirë për bashkësi dhe solidaritet”, e destinuar për gazetaret gra, transmeton Portalb.mk.
Përmes ushtrimeve interaktive, gazetaret gra hartuan sfidat kryesore të punës, shkëmbyen përvoja dhe këshilla praktike për përballimin më të lehtë të presioneve në profesion, si dhe mënyra për të zgjeruar rrethin e mbështetjes së ndërsjellë.
Punëtoria u drejtua nga Marta Stevkovska, gazetare, feministe dhe aktiviste për barazinë gjinore, me më shumë se 12 vjet përvojë profesionale. Ajo punon si specialiste komunikimi dhe koordinatore projektesh në Rrjetin Stella.
Pjesëmarrëset ndanë “superfuqitë” e tyre që sjellin në redaksi – lirinë në zgjedhjen e temave, kreativitetin, kryerjen e shumë detyrave njëkohësisht, këmbënguljen dhe përkushtimin profesional. Por në të njëjtën kohë, ato theksuan edhe sfidat serioze me të cilat përballen: pagat e ulëta, pasigurinë ekonomike, burimet e pamjaftueshme për gazetari investigative.
I ashtuquajturi “Muri i realitetit” nxori në pah vështirësitë financiare, mungesën e kushteve për kërkime të hollësishme, si dhe rastet e shpeshta të diskriminimit dhe sulmeve online dhe offline ndaj gazetareve për shkak të temave që ato mbulojnë.
Gazetaret treguan se kanë nevojë për mbështetje më të madhe editoriale dhe kolegiale, më shumë mundësi profesionale, trajnim në format moderne të medias digjitale dhe raportim të ndjeshëm ndaj gjinisë, si dhe mbështetje psikologjike falas. Përveç kësaj, ato kërkojnë këshilla ligjore dhe profesionale nga shoqatat dhe sindikatat, si dhe mbështetje sistemike për sektorin e medias – subvencione, grante shtetërore dhe kushte më të mira për planifikim afatgjatë.
Seminari konfirmoi nevojën për veprim të përbashkët, solidaritet dhe krijimin e një mjedisi në të cilin gazetaret do të kenë kushte reale për punë të sigurt, profesionale dhe dinjitoze