Festat e nëntorit shënohen me aktivitete të shumta kulturore në vend, ku dhe çfarë mund të ndiqni këto ditë

Me koncerte, akademi solemne, shfaqje teatrore, ekspozita dhe manifestime të tjera kulturore, në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Dibër po shënohen festat e nëntorit, shkruan Portalb.mk.

Në Shkup, Komuna e Çairit organizon manifestimin gjashtëditor “Çairi feston Nëntorin-20 Vjet Krenari”. Nesër, më 25 nëntor, në orën 19:00, do të mbahet një mbrëmje me këngë qytetare me Miranda Hashanin dhe Selami Kolonjën.

Më 26 nëntor, po në orën 19:00, do të mbahet koncerti i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, ndërsa më 27 nëntor, në orën 20:00, në Filharmoni, do të jetë Rona Nishliu me “New Orchestra”.

Manifestimi qendror do të mbahet më 28 nëntor, në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Programi, i cili i kushtohet edhe 20-vjetorit të vendosjes së shtatores së Skënderbeut, përfshin interpretime poetike nga aktori Çun Lajçi, këngë e valle tradicionale shqiptare, si dhe koncertin festiv të këngëtares Edona Llalloshi.

Në Tetovë, më 25 nëntor, në orën 19:00, do të mbahet koncerti festiv i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Më 26 nëntor, në të njëjtën orë, është paraparë shfaqje nga teatri i qytetit, ndërsa më 27 nëntor, në orën 19:00, do të interpretohet suita orkestrale “Skënderbeu”. Aktivitetet do të përmbyllen më 28 nëntor, me marshin festiv dhe programin artistik “Flamuri na bashkon”, në orën 12:00, ndërsa në orën 15:00 do të mbahet programi festiv “Pallati feston”, organizuar nga Pallati i Kulturës në Tetovë.

Në Gostivar, manifestimi qendror kushtuar Ditës së Flamurit do të mbahet më 26 nëntor, me fillim në orën 13:00, në sheshin e qytetit.

Ndërkohë, në Strugë, nga 21 deri më 28 nëntor, po zhvillohet java e aktiviteteteve kulturore, edukative dhe artistike. Programi përfshin akademi solemne, ekspozitë dokumentare, Javën e Filmit Shqiptar dhe aktivitete kushtuar historisë së alfabetit të gjuhës shqipe. Në organizimin e tyre janë përfshirë shkollat fillore dhe të mesme, institucionet kulturore, si dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Strugë.

Edhe në Dibër janë paralajmëruar aktivitete festive me rastin e 28 Nëntorit.

Manifestimet organizohen në nder të 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

28 NëntoriKultura shqiptareKulturë lajme