Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi 19-vjeçar, për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale – Dhunë, nga neni 386, paragrafi 6, në lidhje me paragrafët 3 dhe 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
I dyshuari dhe vëllai i tij i mitur, i cili është nën moshën ligjore për përgjegjësi penale, kanë ndërmarrë veprime të dhunshme, gjatë të cilave një fëmijë dhe një person madhor kanë pësuar lëndime të rënda trupore nga goditjet me thikë, ndërsa një fëmijë tjetër është lënduar lehtë.
Me veprimet e tyre, ata kanë shkaktuar te publiku dhe te personat e pranishëm ndjenjë pasigurie, rrezikimi, frike dhe shqetësimi.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit madhor.
Ndryshe dje janë arrestuar pesë persona për incidentin e rëndë në Çair, ku një 13-vjeçar u plagos me thikë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se një i mituri ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe po lufton për jetën.