Edhe ky vit shkollor filloi pa vendosjen e detektorëve të tymit nëpër shkollat e Tetovës. Detektorët u premtuan që në 2024 ndërsa premtimi tani është zhvendosur për në vitin 2027, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse paralajmërohen me vite nga Komuna e Tetovës, nëpër tualetet e shkollave në Tetovë nuk janë vendosur ende detektorët e tymit, për të parandaluar pirjen e cigareve dhe lëndëve tjera narkotike nga nxënësit.
“Jo, nuk kanë vendosur. Vetëm kanë ndihmuar në pastrim. Pastaj shkolla jonë nuk posedon infrastrukturë për pajisje elektronike sepse duhen riparime të mëdha”, tha Jeton Kamberi, drejtor i Gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’.
Edhe drejtoresha e shkollës së mesme të mjekësisë ‘Nikolla Shtenj’, Malsore Ramadani e konfirmoi se detektorët nuk janë instaluar. Por ajo thotë se është në plan që kjo të bëhet.
“Komuna si themeluese e ka paraparë vendosjen e tyre dhe e ka marrë përsipër, procesi ka qenë në procedurë tenderimi sa kam njohuri. Megjithatë në shkollën tonë vendosja e tyre mund të realizohet pak më vonë, pasi në fund të muajit shtator është planifikuar të fillojë renovimi dhe rikonstruksioni i plotë i tualeteve të shkollës. Në kuadër të këtij projekti janë paraparë edhe detektorët e tymit, kështu që vendosja e tyre do të bëhet si pjesë e punimeve të parapara në projekt”, tha Ramadani.
I pyetur se pse detektorët e tymit nuk janë vendosur as për këtë vit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtimin e zhvendosi për vitin tjetër.
“Ajo që ka qenë prioritet ka qenë pastërtia nëpër shkolla, në këtë rast edhe në tualetet e shkollave, ne ju kemi dhënë urdhëresë shkollave që të angazhojnë një kompani e cila në mënyrë shtesë dhe të rregullt do të bëjë pastrimin e tualeteve të shkollave dhe sigurisht nga viti i ardhshëm 2027 të sigurojmë edhe detektorë nëpër shkolla, bëhet fjalë për furnizim publik, pra nuk bëhet fjalë vetëm për sigurimin e detektorëve por edhe për mirëmbajtjen dhe servisimin e tyre”, tha Kasami.
Vendosja e detektorëve të tymit u paralajmërua në tetor 2024 pas një debati me Këshillin Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve.
Ndërsa nga Komuna e Tetovës në mars 2025 thanë se me fillimin e vitit të ri shkollor në shtator 2025, detektorët pritej që të jenë funksionalë. Por kjo nuk ndodhi. Më pas detektorët u premtuan sërish, por pa afat.
Premtimi tani është zhvendosur për vitin në 2027.
Përndryshe, probleme tjera devijante në shkollat e Tetovës mbetet dhuna, përdorimi i narkotikëve, lojërat e fatit dhe të tjera.
- LEXO: Premtime në ajër, tym në tualete: Shkollat në Tetovë ende pa detektorë kundër duhanit dhe narkotikëve
- LEXO: Jo më cigare në tualete, detektorët e tymit nëpër shkollat e Tetovës pritet të jenë funksional në shtator
- LEXO: Alarmante është gjendja me përdorimin e narkotikëve nga nxënësit në Tetovë, shqyrtohet mundësia e vendosjes së detektorëve të tymit (Video)