Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka nisur procedurë kundër dy personave, nën dyshimin se si bashkëkryerës kanë kryer veprat penale – Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1, si dhe Mashtrim kompjuterik sipas nenit 251-b, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Të dyshuarit, në cilësinë e personave zyrtarë – të punësuar në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me çka kanë përfituar për vete dobi më të madhe materiale.
“Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2026, duke tejkaluar kufijtë e detyrave dhe autorizimeve të tyre zyrtare, e dyshuara e dytë, e punësuar si referent për çështje studentore në njërin nga fakultetet, pas udhëzimeve të marra nga i dyshuari i parë, udhëheqës i Sektorit për “E-Indeks”, ka futur të dhëna të pavërteta në sistemin informatik të Universitetit”, thonë nga Prokuroria.
Përmes veprimeve të kundërligjshme të ndryshimit, fshirjes ose fshehjes së të dhënave në bazën e të dhënave të indeksit elektronik, të dyshuarit kanë shkaktuar rezultate të pavërteta gjatë përpunimit dhe transferimit elektronik të të dhënave, duke përfituar në këmbim dobi materiale, e cila për momentin vlerësohet në 21.000 euro.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.
Kujtojmë se dje nga MPB-ja njoftuan se kanë kryer bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në kuadër të hetimit për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, dëmtim dhe hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik nga ana e një drejtuesi të sektorit të informatikës në UGD-në e Shtipit.