Gjykata e Apelit në Shkup sot shqyrtoi në një seancë publike ankesën e Prokurorisë kundër lirimit nga akuza për Aleksandar Gjorçevskit, babait të Vanja Gjorçevskës së vrarë. Prokurori Darko Jakimovski vlerësoi se gjykata e shkallës së parë nuk i ka analizuar mjaftueshëm provat, që, sipas Prokurorisë, tregojnë për përfshirjen e tij në ngjarjet që i paraprinë rrëmbimit, raporton MIA.
Mbrojtja e Gjorçevskit, megjithatë, pohoi se nuk kishte prova që e lidhnin atë me krimet. Avokati Vlladimir Tufegçiq vlerësoi se Gjykata Themelore e vërtetoi saktë situatën faktike dhe përjashtoi mundësinë e fajësisë së tij.
Në seancë u paraqitën katër personat e dënuar me burgim të përjetshëm – Ljupço Palevski, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishev.
Mbrojtja e të akuzuarve kërkon që vendimi i shkallës së parë të shfuqizohet dhe procedura të përsëritet para Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Lënda është në procedurë të shkallës së dytë pas ankesave të paraqitura nga mbrojtja dhe Prokuroria Themelore Publike, e cila po apelon lirimin nga akuzat të babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, si dhe për veprën e dytë penale të të akuzuarve.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit planifikuan së bashku rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyronin një anëtar të familjes së saj të ngushtë të jepte si shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezhovski në Veles, megjithatë, ishte me qëllim që ta detyronin atë t’u jepte automjetin e tij në mënyrë që ta përdornin atë për të rrëmbyer vajzën në Shkup.
Gjykata e Apelit do të marrë vendimin pasi të shqyrtojë të gjitha ankesat e parashtruara.
Ndryshe, i dënuari me formë jo të prerë, Ljupço Palevski dhe tre bashkëpunëtorët e tij në rrëmbimin dhe vrasjet brutale të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi në fund të vitit 2025-të kanë paraqitur ankesa kundër dënimeve të tyre me burgim të përjetshëm. Ata nuk kërkojnë lirim nga Gjykata e Apelit të Shkupit, por anulimin e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e procedurës nga fillimi, në Gjykatën Penale të Shkupit.
Ljupço Palevski-Palço, Bore Videvski, Vlatko Keshishev dhe Velibor Manev janë dënuar me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçeskës. Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, është liruar nga akuzat. Shpenzimet e tij gjyqësore do të mbulohen nga shteti.
Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator 2024. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.