Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot prej në Çair i filloi takimet në kuadër të vizitës treditore në Maqedoninë e Veriut. Pas Çairit, ai e vizitoi komunën tjetër shqiptare, Çashkën, transmeton Portalb.mk.
“Kjo është një ditë që flet për respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë. Një pritje që shpreh mirënjohje të sinqertë për Shqipërinë dhe për lidhjet e forta mes dy vendeve tona, lidhje të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, kulturën që na afron dhe bashkëpunimin që vazhdon të forcohet me kohën”, deklaroi Mexhiti.
Pas vizitës në objektin e Komunës së Çairit, Begaj e vazhdoi vizitën në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ndërsa në mesditë e vazhdoi vizitën në Komunën e Çashkës, komuna e cila për herë të parë udhëhiqet nga një shqiptar. Ai në objektin e komunës u prit nga kryetari Suat Shaqiri, ndërsa në orët e pasdites vazhdoi për në fshatin e kësaj komune, në Jabollçishtë të Epërm.
“Le të qëndrojmë të bashkuar si popull, pa u dalluar në aspektin fetar apo kombëtar, sepse vetëm të bashkuar do t’i gëzojmë të mirat e përbashkëta dhe do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, deklaroi Shaqiri.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, theksoi se kjo është vizita e parë e një presidenti shqiptar në Çashkë.
“Shqipëria qëndron pranë shqiptarëve kudo, me frymë afërsie, bashkëpunimi dhe vizion për të ardhmen. Kjo vizitë shpreh vëmendje dhe respekt ndaj komunitetit shqiptar, duke forcuar njëkohësisht lidhjet natyrore mes Tiranës dhe qytetarëve që kontribuojnë në jetën publike të vendit ku jetojnë”, deklaroi Meidani.
Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar që edhe gjatë dy ditëve të tjera do të ketë kufizime në komunikacion për shkak vizitës zyrtare të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Të premten, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të vizitohet nga presidenti Begaj. Kuvendi ka paralajmëruar takim mes kryekuvendarit Afrim Gashi dhe presidentit Bajram Begaj prej orës 15:00 në sallën “Drugdhendje”, ndërsa prej orës 15:30 do të ketë fjalim të presidentit Begaj në sallën “Maqedonia”.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkova, të premten do pret presidentin Bajram Begaj. Në orën 10:30 do të zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Takimi kokë më kokë do të zhvillohet më 10:45. Takimi plenar i delegacioneve do të mbahet në orën 11:20, ndërsa në orën 12:00 mbahet konferencë e përbashkët për shtyp e dy presidentëve.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka paralajmëruar se presidenti Bajram Begaj do të jetë në Tetovë më 28 shkurt prej orës 09:30. Për këtë arsye, Komuna e Tetovës ka paralajmëruar kufizime për parkim të veturave në disa rrugë të Tetovës: rruga “Marshall Tito”, “Dervish Cara”, “Ilindenska”, “KRDRC”, “Van Vardarska”, “172” dhe bulevardi “Bllagoja Toska”.