Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe njoftoi se partia e tij do të paraqesë interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe për ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq. Gashit i atribuojnë shkelje të Rregullores së Kuvendit në disa raste, ndërsa Stoilkoviqin e akuzojnë për fyerje dhe sharje të drejtuara ndaj deputetëve Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçulevski gjatë seancës për rikonstruimin e Qeverisë, por edhe gjatë pushimit të saj, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se instrumenti i pyetjeve parlamentare është vënë seriozisht në pikëpyetje dhe se pushteti po inskenon situata për t’iu shmangur pyetjeve të deputetëve. Seanca e djeshme ishte dëshmi e kësaj, tha Filipçe, duke u ankuar se propozimet e opozitës nuk arrijnë fare për debat dhe se Kuvendi është shndërruar në një makineri votimi.
Ai paralajmëroi se partia do të përdorë të gjitha mekanizmat demokratikë, përfshirë edhe bllokimin e projektligjit për zbatimin e projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”. Sipas tij, është skandaloz synimi që Qyteti i Shkupit të themelojë një fondacion të veçantë, i cili gjatë prokurimeve nuk do të jetë i detyruar të zbatojë Ligjin për Prokurime Publike. Projektligji u hoq nga rendi i ditës para dy ditësh, me njoftimin se do të shqyrtohet në shtator.
Vjeshtë e vështirë, parashikon Filipçe
I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të thotë paralajmërim për një “vjeshtë të nxehtë”, lideri i LSDM-së tha se pret një krizë të madhe nga shtatori – me rënie të standardit të jetesës së qytetarëve dhe rritje të shpenzimeve. Ai akuzoi pushtetin se nuk po merr masa për kontrollin e çmimeve.
“Pres një krizë të madhe. Së pari, nuk e dimë se si do të ndikojë kjo në çmimin e energjisë elektrike. Niveli i ujit në Danub është jashtëzakonisht i ulët. Në Serbi dhe Hungari është shpallur gjendje krize. Hungaria po ndalon disa centrale bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike, sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm për ftohje. Kjo mund të ndikojë edhe te çmimi i energjisë elektrike në vendin tonë. Nuk e dimë as si do të zhvillohet situata me luftën në Iran; nëse nuk zgjidhet, po shihni se si po rriten çmimet e karburanteve. Nuk ka asnjë masë për qytetarët, prandaj pres një krizë të madhe. Kur të vijë shtatori, fillojnë shpenzimet për shkollat, nuk ka njoftime për rritje pagash, ndërsa shikoni çmimet në markete”, tha Filipçe.
Ai shtoi se LSDM-ja është e gatshme për zgjedhje, kurdo që të mbahen, edhe pse tha se partia nuk po zhvillon anketa lidhur me këtë çështje.
“Mendoj se zgjedhje do të ketë kur atyre t’u mbarojnë paratë”, deklaroi Filipçe.
Filipçe nuk di për bisedime “nën radar” lidhur me BE-në
Ndërkohë, ai tha se pushteti ka luajtur me emocionet e publikut përmes deklaratave për rikthimin e emrit dhe lidhur me Marrëveshjen e Prespës, edhe pse ishte i vetëdijshëm se kjo nuk mund të ndodhë. Ai akuzoi se vetëm tani pushteti ka pranuar se protokollet nuk janë pjesë e procesit negociues.
“Çfarë ndodhi me pozicionin negociues? Çdo përmirësim të kornizës negociuese ne do ta mbështesnim dhe jemi të gatshëm të mbështesim çdo zgjidhje konstruktive që është në përputhje me Bashkimin Evropian. Çfarë janë garancitë e brendshme? Mendoj se kjo është një lojë. VMRO-ja po përpiqet të krijojë mjegull, por asnjë shtet nuk ka marrë garanci të tilla dhe askush nuk mund t’i ofrojë ato. Ekzistojnë vetëm kritere që duhet të përmbushen. Çfarë do të ishte bllokada nga Bullgaria? A do të na e marrin gjuhën? Komisioni historik tashmë ka arritur konsensus për katër figura historike. A duhet të rrimë në vend nga frika se mos ndodh diçka?”, pyeti Filipçe, duke shtuar se edhe gjatë takimit me Antonio Costa i ishte thënë se duhen bërë ndryshimet kushtetuese.
Ai tha se nuk ka dijeni për bisedime “nën radar”, megjithëse këtë e kishte përmendur ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, duke deklaruar se po kërkohet një zgjidhje për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Sipas tij, vazhdimi i stagnimit mund të nënkuptojë edhe mbylljen e derës për Evropën, nëse vendi nuk përfshihet në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së.