Filipçe e akuzoi Mickoskin se po fshihen informacionet për ujin në Gostivar, ai u kundërpërgjigj se uji ishte i ndotur edhe në kohën e LSDM-së

Kush është fajtor për gjendjen në shtet – nga ndotja e ujit deri te rënia e standardit të jetesës së qytetarëve, varfëria dhe korrupsioni – pyeti kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në seancën e sotme parlamentare të dedikuar për pyetjet e deputetëve.  Në pyetjen drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, Filipçe kërkoi përgjigje se përse nuk publikohen rezultatet e analizave të ujit në Gostivar dhe pse, sipas tij, institucionet japin deklarata kontradiktore, transmeton Portalb.mk.

“Pse jepni deklarata kontradiktore? Ju thoni një gjë, ministri i Shëndetësisë një tjetër – se gjoja uji do të ishte i pijshëm, e më pas thuhet se është vetëm teknikisht i rregullt. Qytetarët janë të hutuar, nuk dinë çfarë të bëjnë dhe nuk dinë kujt t’i besojnë. Nuk u përgjigjët as për rastin e Lepencit dhe pellgut të Vardarit. Për shkumën e bardhë që e ndoti ujin në vendin ku ndodhen puset që furnizojnë burimin e Rashçes. Pra, ujë i ndotur në vendin ku ndodhen puset nga burimi prej të cilit pi ujë i gjithë Shkupi. Dhe nuk ka asnjë informacion”, tha Filipçe.

Ai u ndal edhe te standardi i jetesës, për të cilin tha se është në rënie.

“Është rritur çmimi i ngrohjes qendrore, janë rritur çmimet e karburanteve, sërish nuk ka masa për kategori të caktuara të qytetarëve, është rritur edhe tatimi mbi pronën. Gjithçka është shtrenjtuar, ndërsa pagat kanë ngecur. Njerëzit janë në prag të mbijetesës.”

Filipçe kritikoi edhe korrupsionin, duke përmendur raportin e Parlamentit Evropian si më të keqin deri më tani dhe duke akuzuar pushtetin për ndikim mbi gjyqësorin. Ai përmendi edhe kredinë hungareze, për të cilën, sipas tij, kryeministri hungarez ka paralajmëruar një hetim të plotë.

Ai shtoi se janë vërtetuar pretendimet e LSDM-së se Mickoski po e bllokon rrugën evropiane të vendit.

“Kush është fajtor për të gjitha këto? E di që do të thoni se fajtor është Venko, fajtor është LSDM-ja, por qytetarët e dinë se përgjegjësinë për të gjitha këto e mbani ju. Megjithatë dua ta dëgjoj nga ju – kush është fajtor për të gjitha këto që po ndodhin në shtet?”, pyeti Filipçe.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Hristijan Mickoski e akuzoi Filipçen edhe për furnizimin me vaksina gjatë kohës kur ishte ministër i Shëndetësisë dhe i bëri thirrje Prokurorisë ta hetojë rastin. Njëkohësisht iu kundërpërgjigj akuzave lidhur me përgjegjësinë për ndotjen e ujit, duke thënë se uji në Gostivar kishte qenë i ndotur edhe në periudhën kur Filipçe drejtonte sektorin e shëndetësisë.

“Raporti i Qendrës për Shëndet Publik në Prilep, për periudhën nga 1 deri më 28 shkurt 2019, që i referohet qyteteve Prilep, Krushevë dhe Makedonski Brod, thotë se uji ishte i papërshtatshëm për shkak të ndotjes bakteriologjike dhe asaj fiziko-kimike të mostrave. Masat e ndërmarra? Asnjë. Raporti pasues, nga 1 deri më 31 mars 2019, përsëri për të njëjtat qytete, dhe sërish nuk është ndërmarrë asgjë. Mund t’ju rendis shumë raporte të tilla. Këtu kam një grumbull të tërë për Gostivarin dhe rrethinën. Ju ishit ministër në atë periudhë. Jo vetëm që u dogjën spitalet modulare, por edhe si mjek nuk iu përmbajtët betimit tuaj. Lejuat që njerëzit të konsumonin ujë i cili, së paku, paraqiste rrezik për shëndetin e atyre që e pinin”, shtoi Mickoski.

Në fund, Mickoski informoi se numri i mostrave të papërshtatshme të ujit në Gostivar është në rënie dhe se pret që brenda pak ditësh qytetarët e Gostivarit të kenë ujë të pijshëm të sigurt. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Prokurorisë të merret edhe me gjetjet e raporteve të viteve të kaluara.

Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

GostivariHristijan Mickoski HristianParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutUji - ujëVenko Filipçe