Ministria e Transformimit Digjital njofton se portali kombëtar për shërbime elektronike uslugi.gov.mk është rikthyer në funksion, transmeton Portalb.mk.
Me përfundimin e aktiviteteve për ndërhyrje teknike dhe përditësimin e pajisjeve, funksionimi normal i portalit dhe disponueshmëria e shërbimeve elektronike për qytetarët është mundësuar përsëri.
“Ministria shpreh mirënjohjen e saj ndaj qytetarëve për durimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë mungesës së përkohshme dhe mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime digjitale të sigurta, të qëndrueshme dhe të arritshme”, thonë nga ministria.
Ndryshe, portali në fjalë është një platformë elektronike, përmes së cilës mund të merrni informacione rreth shërbimeve publike dhe të përdorni cilindo nga shërbimet elektronike që janë aktualisht në dispozicion nga autoritetet kompetente. Portali është krijuar dhe menaxhohet nga Ministria e Tranformimit Digjital dikur e njohur si Ministri e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në përputhje me Ligjin për Qeverisjen Elektronike dhe Shërbimet Elektronike, i cili përcakton shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe mënyrën se si duhet të zbatohet, ofrimin e shërbimeve elektronike, funksionimin e ndërmjetësve, etj.
Portali kombëtar për shërbime elektronike përbëhet nga një pjesë publike dhe një pjesë private.
Pjesa publike e Portalit ka përmbajtje të destinuar për qytetarët dhe kompanitë, si dhe organizata të tjera. Brenda kuadrit të përmbajtjes së publikuar në Portal, publikohen të dhëna që lidhen me shërbimet në nivel qendror dhe lokal. Shërbimet e publikuara vlejnë për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e huaj.
Seksioni publik është i disponueshëm për të gjithë vizitorët, pa pasur nevojë për ndonjë hyrje ose identifikim. Seksioni publik përmban informacion mbi shërbimet e ofruara nga autoritetet kompetente dhe subjektet e tjera – ofruesit e shërbimeve.