Departamenti për Kontroll të Brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kundër B.J. për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353-c i Kodit Penal. Më datë 15.12.2024 në ora 09:06, gjatë kryerjes së detyrës së punës si punonjës policie në stacionin policor të pikës kufitare Bllacë e Poshtme, në kabinën e daljes nga shteti, duke anashkaluar mbikëqyrjen e detyrueshme, i kallëzuari ka lejuar daljen e një automjeti i pasagjerëve xhip “Mercedes” me targa konsullore, i drejtuar nga Arsim Papraniku nga Shkupi, ndërsa pasagjer ishte Artan Grubi, për të cilin ka pasur masë aktive “ndalo dhe lajmëro menjëherë”, thuhet në njoftimin e MPB, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë veprim, polici B.J. i mundësoi A.G. të arrijë dalje nga vendi me gjithë masën e vendosur “ndalo dhe lajmëro menjëherë”, si dhe me këtë veprim ka dëmtuar reputacionin e Ministrisë së Brendshme. Përkatësisht, polici B.J. nuk ka kryer kontrolle adekuate në mjetin “Mercedes” gjatë kalimit të kufirit shtetëror, nuk e ka regjistruar për dalje dhe ka mashtruar se gjoja pasagjerët e mjetit kanë kaluar kufirin në këmbë. Gjithashtu, gjatë kontrollit kufitar, ai nuk ka pritur që sistemi të konstatojë nëse ka masë aktive për personat, por menjëherë u ka dhënë dokumentet e udhëtimit dhe më pas janë larguar nga vendkalimi kufitar”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale ka dorëzuar propozim për inicimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore dhe ka shqiptuar masa të detyrueshme që zyrtari policor të suspendohet nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.
Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’
Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajamin.
Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’.
Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar
Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”,
Ndryshe, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.