Disa nga risitë e vendosura në Ligjin e ri të Lojërave të Fatit dhe Lojërave Argëtuese, i cili fillon të zbatohet më 14 korrik janë lejet e detyrueshme për organizimin e lojërave shpërblyese (giveaway), kompensimi për organizimin e tyre, publikimi publik i rregullave dhe rezultateve, si dhe afatet dhe kushtet e përcaktuara qartë për organizimin e tyre. Qëllimi i zgjidhjes së re ligjore, e cila për herë të parë krijon kornizë të rregulluar për organizimin e lojërave të fatit është që të vendosë rregulla, detyrime dhe kushte të qarta për organizatorët, si dhe transparencë dhe siguri më të madhe ligjore për pjesëmarrësit, thonë nga Ministria e Financave, transmeton Portalb.mk.
Sipas dispozitave të reja ligjore, do të lëshohet leje për organizimin e lojës shpërblyese – giveaway, e cila merret pasi të parashtrohet kërkesë në Ministrinë e Financave, më së voni 30 ditë para ditës së caktuar për fillimin e lojës.
“Nëse organizatori i lojës shpërblyese është tregtar individual, me kërkesën e lëshimit të lejes ai duhet të parashtrojë rregulla dhe rregullore lidhur me shpërblimet, prova për origjinën e tyre, dokument regjistrimi të lëshuar nga Regjistri Qendror, informacione mbi gjendjen ekonomike dhe financiare bazuar në llogarinë e fundit vjetore, nëse ka ushtruar aktivitete afariste, provë për pagesën e kompensimit për parashtrimin e kërkesës në vlerë prej 100 eurosh në kundërvlerë me denarë dhe provë për pagesën e detyrimeve publike në bazë të tatimeve, doganave dhe kontributeve”, thonë nga Ministria.
Nëse organizatori është shoqëri tregtare, përveç dokumentacionit të specifikuar si tregtar individual, së bashku me kërkesën duhet të dorëzojë edhe dokument regjistrimi të lëshuar nga Regjistri Qendror, si dhe vërtetime nga Regjistri i Dënimeve për Vepra Penale të Kryera të Personave Juridikë që dëshmojnë se ndaj tij nuk është shqiptuar dënim plotësues me ndalesë për marrjen ose heqjen e lejes për organizimin e lojërave të fatit, si dhe as ndalesë e përkohshme ose e përhershme për ushtrimin e veprimtarisë së organizimit të lojërave të fatit.
Nëse kërkesa parashtrohet nga shoqëri tregtare në emër dhe për llogari të ndonjë shoqërie tjetër tregtare, nevojitet të dorëzohet dokumentacioni që i përket shoqërisë tregtare në emër dhe për llogari të së cilës parashtrohet kërkesa.
“Ligji përcakton gjithashtu detyrimin e organizatorit për të paguar kompensim për organizimin e lojës në vlerë prej 18% të vlerës së përgjithshme të fondit të shpërblimeve. Kompensimi paguhet para fillimit të lojës, brenda tre ditëve nga marrja e lejes, dhe nëse nuk paguhet brenda afatit ligjor, leja hiqet”, thonë nga MInistria.
Një risi tjetër është se rregullat e lojës duhet të shpallen publikisht para se të fillojë ndarja e shpërblimeve, kurse rezultatet, përkatësisht fituesit, duhet të shpallen më së voni tre ditë nga dita e tërheqjes ose përcaktimit të fitimeve. Shpërblimet në para dhe mallra duhet të paguhen, përkatësisht të ndërmerren, në kuadër të periudhës së përcaktuar nga rregullat e lojës, që nuk mund të jetë më e gjatë se 60 ditë nga dita e shpalljes së rezultateve.
Me këtë ligj, gjithashtu përcaktohet në detaje edhe përmbajtja e rregullave të lojës. Ato duhet të përmbajnë domosdoshmërisht të dhëna në lidhje me organizatorin, produktet ose shërbimet që reklamohen, kushtet për pjesëmarrje, kohëzgjatjen e lojës, mënyrën e tërheqjes dhe përcaktimin e fituesve, vlerën e shpërblimeve dhe fondin e përgjithshëm të tyre, mënyrën e dhënies së tyre, procedurën e ankesës, si dhe ndalimin e pjesëmarrjes së të punësuarve te organizatori dhe anëtarëve të familjeve të tyre të ngushta.
Kohëzgjatja e një loje fati të tipit giveaway nuk mund të jetë më e gjatë se një vit.
Me ligjin e ri për herë të parë vendoset përkufizimi ligjor i ndarjes së shpërblimeve (giveaway). Kjo është lojë fati në të cilën investimi për pjesëmarrje përbëhet nga këto aktivitete: pëlqimi, etiketimi, shpërndarja ose publikimi i përmbajtjes, e cila organizohet nga ndonjë shoqëri tregtare ose tregtar individual, me qëllim të reklamimit të produkteve ose shërbimeve, në mënyrë të zakonshme ose elektronike, nëpërmjet internetit, telefonave celularë ose platformave të tjera.
Ligji gjithashtu përcakton termat “pëlqim” dhe “etiketim” si investim për pjesëmarrje në këto lojëra fati. Pëlqimi është shfaqje interesi ose reagim pozitiv ndaj përmbajtjes së caktuar, ndërsa etiketimi është përcaktim i personit, fotografisë ose videos, kur një aktivitet i tillë është kusht për pjesëmarrje në lojë.
Me vendosjen e këtyre rregullave krijohet kornizë e vetme ligjore për organizimin e aktiviteteve giveaway, përcaktohen detyrimet e qarta për organizatorët dhe sigurohet transparencë më e madhe, siguri ligjore dhe mbrojtje e pjesëmarrësve gjatë organizimit të këtij lloji të lojërave të fatit.