Arrestimi i ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në kufirin me Kosovën dhe vendosja e tij në arrest shtëpiak kanë hapur një debat të fortë publik: Pse Grubi u vendos në arrest shtëpiak dhe jo në paraburgim?
Pyetja është legjitime. Por përgjigjja e drejtë për këtë pyetje nuk mund të jetë emocionale por duhet domosdoshmërisht të bazohet në atë që thotë Ligji i procedurës penale.
Në këtë rast, prokuroria kërkoi masën e arrestit shtëpiak. Gjykata vendosi në përputhje me kërkesën e arsyetuar të prokurorisë. Sipas rregullave të procedurës penale, gjykata nuk mund të caktojë masë më të rëndë sesa ajo që kërkohet nga prokuroria. Nëse prokuroria nuk kërkon paraburgim, gjykata nuk mund ta shqiptojë atë. Ky është parim procedural bazik që garanton balansin mes palëve dhe ndarjen e roleve në procesin penal.
Paraburgimi është masa më e rëndë për sigurimin e pranisë së të dyshuarit apo të pandehurit në procedurë. Ai përfaqëson kufizimin më serioz të lirisë para një vendimi përfundimtar gjyqësor dhe për këtë arsye mund të caktohet vetëm kur plotësohen kushte të qarta ligjore: rreziku i arratisjes, rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët apo provat, rreziku i përsëritjes së veprës penale ose refuzimi i pranimit të ftesës për t’u paraqitur në shqyrtimin kryesor.
Paraburgimi nuk është formë ndëshkimi paraprak. Nuk është përgjigje ndaj zemërimit publik. Nuk është sinjal politik.
Në rastin konkret, gjykata arsyetoi se hetimi ndodhet në fazë të avancuar, provat janë mbledhur dhe nuk ekziston rrezik real i ndikimit mbi to. Një element i rëndësishëm në këtë vlerësim ishte edhe fakti se i dyshuari është dorëzuar vetë. Kthimi i tij nga arratia për t’u përballur me akuzën u konsiderua si tregues se nuk ekziston motiv aktual për t’u arratisur sërish. Në këto rrethana, gjykata vlerësoi se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme.
A mund të ketë debat mbi këtë vlerësim? Sigurisht që po. Por debati duhet të zhvillohet brenda kornizës së standardeve ligjore.
Megjithatë, reagimi i fortë publik nuk është i shkëputur nga konteksti. Shoqëria jonë ka përjetuar raste ku paraburgimi nuk është caktuar në kohë, ndërkohë që rreziku i arratisjes ka qenë i dukshëm. Pasojat i dimë të gjithë.
Ish-kryeministri Nikola Gruevski prej vitesh ndodhet jashtë vendit, duke mos vuajtur dënime tash më të plotfuqishme dhe të ekzekutushme, pra të formës së prerë. Po ashtu, ish-zyrtarë të shërbimit sekret si Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski u arratisën gjatë procedurave penale kundër tyre duke mos u vendosur në kohë në paraburgim. Dhe të mos harrojmë se ish-kreu i shërbimit sekret Mijalkov doli nga paraburgimi duke lënë garanci milionat e fituara në mënyrë të dyshimtë dhe sot është një biznesmen i madh dhe i suksesshëm.
Këtu qëndron problemi real: dështimi institucional për t’i menaxhuar në kohë dhe me profesionalizëm rreziqet procedurale në rastet që involvojnë të dyshuar apo të akuzuar të profilit të lartë. Kur institucionet dështojnë të parandalojnë arratisjen e të akuzuarve, pasojat janë afatgjata: ato cënojnë besimin publik tek institucionet dhe krijojnë një ndjenjë të thellë të padrejtësisë.
Por paraburgimi nuk mund të përdoret si kompensim për gabimet e së kaluarës. Ai nuk është mjet korrigjimi i dështimeve institucionale. Paraburgimi është masë që duhet të vendoset rast pas rasti, mbi bazën e rrethanave konkrete dhe të rishqyrtohet vazhdimisht. Në momentin kur arsyet pushojnë së ekzistuari, ai duhet të zëvendësohet me masë më të butë. Kështu thotë ligji.
Lufta kundër keqpërdorimit të pushtetit është e domosdoshme. Zyrtarët publikë duhet të mbajnë përgjegjësi. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Por po aq e rëndësishme është që procedura të mbetet e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. Sepse drejtësia nuk matet me ashpërsinë e masës, por me arsyetimin e saj.
Shteti i së drejtës kërkon vendime të bazuara në ligj, jo në presion. Kërkon institucione që veprojnë me profesionalizëm, jo me selektivitet. Dhe kërkon që secili të përballet me përgjegjësinë e vet — pa përjashtim.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.