Erdogani shpëton NATO-n!

Me të mbërritur në Ankara, Trump tha se Erdogani ishte arsyeja pse ai personalisht erdhi në samitin e NATO-s. Pritja e tij ishte jashtëzakonisht mbresëlënëse, madje që nga qielli me një eskortë avionësh të shumtë ushtarakë. Poshtë, një kalorësi me qindra kuaj të zbukuruar me flamuj turq dhe amerikanë. Një duzinë ose më shumë të shtëna topash, të cilat zakonisht dëgjohen shumë rrallë në Turqi. Trump përshëndeti shoqërinë e nderuar të ushtarëve me “Merhaba Askerler” (përshëndetje ushtarë).

Turqia nuk është më vendi që për 40 vjet iu lut Komunitetit të atëhershëm Evropian (tani BE) të fillonte negociatat. Trump deklaroi publikisht se “anëtarët e BE-së nuk kanë qenë të drejtë me Turqinë për një kohë të gjatë, dhe tani është koha që BE-ja t’i lutet Turqisë të bëhet një anëtare e rëndësishme e BE-së”. Gjeopolitika rajonale dhe globale janë materie e gjallë. Ajo ndryshon, përshtatet, zhvillohet, dobësohet. Dhe na mëson gjithmonë të mos kërkojmë dritë në një mendje të errët.

Erdogan është bërë një figurë kyçe që mund ta afrojë SHBA-në me Evropën. Çuditërisht, BE-ja nuk ishte mjaftueshëm fleksibile për të kuptuar karakterin personal të Trump, kështu që komunikimi përfundoi në konflikt. Kurse Turqia ka një diplomaci të qëndrueshme dhe të aftë të ndërtuar gjatë shekujve. Tani ajo po kthehet me zë të lartë në programin F-35, nga i cili u përjashtua për shkak të blerjes së raketave ruse S-400 disa vite më parë. Por e korrigjoi shpejt atë gabim “të qëllimshëm”. Trump tani do t’i japë Turqisë një licencë për të prodhuar sistemin modern të raketave Patriot. Ky është gjithashtu një sinjal për Rusinë se nuk është më një lojtar i rëndësishëm botëror. Duket se Putin harroi të shikohej në pasqyrë për të parë se nuk është ai Brezhnjevi.

Një rol fleksibël luajti para dhe gjatë samitit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili bëri gjithçka për të shpëtuar samitin, dhe bashkë me të edhe NATO-n. Përçarjet në NATO janë të mëdha. Një numër shtetesh anëtare evropiane të NATO-s jo vetëm që nuk u bashkuan në ndihmë kundër regjimit iranian, por morën edhe masa të tjera kufizuese, duke ndaluar përdorimin e bazave ushtarake amerikane në territoret e tyre. Kryeministri spanjoll ishte veçanarisht arrogant në këtë. Prandaj, Trump mbërriti në samitin në Ankara vetëm për shkak të Erdoganit dhe Turqisë, e cila luajti një rol kyç gjatë konfliktit me Iranin. Erdogani dhe Rutte fleksibël luajtën një rol të rëndësishëm në samit që Trump të vinte personalisht.

Madje Rutte njoftoi se samiti i ardhshëm do të mbahej në Tiranë, gjë që për Ramën do të thoshte një shpëtim nga deti i protestave në Shqipëri. Pas lajmit për samitin e ardhshëm në Tiranë, ai u mburr me eufori para mediave të shumta shqiptare. Në fund të fundit, kjo u vendos në samitin e Hagës dy vjet më parë, por mendohej se vendimi do të tërhiqej për shkak të protestave. Shqipëria ka kaluar pragun prej 2% (tani është në 2.17%), dhe nuk ka pengesa formale për këtë. Samiti në Ankara e bëri peshën diplomatike të Turqisë shumë më të dukshme, duke shërbyer jo vetëm si një takim i liderëve botërorë të fuqive të mëdha botërore, por edhe si një platformë për të demonstruar ndikimin në rritje të Ankarasë brenda NATO-s.

Edi Rama do i mundi protestuesit?!

Ndërsa protestat në Shqipëri here here numëruan mbi njëqind mijë demonstrues, Rama nuk ndërmori asnjë masë represive, as nuk i kufizoi ato hapësinorisht. Ato filluan me arsyen e besueshme se sistemi i Ramës funksionon në mënyrë autokratike, por do mbështetje mediatike për protestat u dhanë nga njerëz që morën anën e Iranit në konfliktin SHBA-Iran, duke akuzuar SHBA-në për sjellje imperiale. Pas pak kohe, filluan të shfaqen vajza dhe gra të veshura me rroba orientale, gjë që nuk u prit mirë nga publiku shqiptar. Kulmi i budallallëkut u arrit kur Dritan Goxhaj, një mbështetës publik i Iranit dhe Hezbollahut në media, u përfol si një lloj koordinatori i protestave. Nga ana tjetër, Kurti mobilizoi protestues nga Kosova dhe Maqedonia, duke e mbivlerësuar veten, për të kuptuar përfundimisht se ylli i tij nuk mund të shkëlqente në Tiranë. Populizmi i tij budalla mund të shitet ende vetëm në Kosovë, ku ende nuk është kuptuar se është më mirë të luftosh për diçka sesa të jetosh për asgjë.

Në një foto të përbashkët zyrtare të organizuar nga protokolli turk, kryeministri shqiptar Rama është vendosur në rreshtin e parë pranë Erdoganit, Ruttes dhe Trumpit, me Melonin, Macronin dhe disa udhëheqës të tjerë evropianë në sfond, ndërsa kryeministri spanjoll është pothuajse i fundit. Përjashtim bëri kryeministri gjerman, sepse Gjermania është ende një fuqi e madhe ekonomike. Le të kujtojmë se në foton familjare një ditë para samitit, Edi Rama ishte i fundit me gruan e tij. Por të nesërmen ai dukshëm avancoi. Duket se atletet e tij të bardha nuk janë arsyeja e vetme pse Rama mori një vend të rëndësishëm në foton zyrtare.

Ka përfitim nga NATO dhe Ballkani!

Nuk ka dyshim se Turqia aktualisht është më e interesuara për paqen në Gadishullin Ballkanik në një kohë kur Vuçiç tregon oreks të madh, të cilin pretendon se e plotëson herë me “hir” dhe herë me “forcë”. Por gjërat po ndryshojnë, kështu që Serbia, në kushtet e një Rusie shumë të dobësuar, do të duhet të përballet me ëndrrat e saj të thyera. Tani është Turqia që ka ndikim ekonomik dhe politik në rajon dhe nuk do të lejojë aventurat e aventurierëve të shumtë politikë rajonalë. Ministri i saj i Jashtëm, Hakan Fidan, është një ekspert dhe strateg i lartë për situatën, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe shumë më gjerë, përfshirë rajonin e Ballkanit. Kjo është edhe më e rëndësishme kur Uashingtoni është në anën e saj.

Turqia është prodhuesi i dytë më i madh i armëve në botë dhe i 12-ti në botë në shitjen e armëve. Me ftohjen e Evropës nga NATO, vendin e saj e zë Turqia, e cila ka teknologji të fortë. Turqia gjithashtu mund ta ndihmojë shumë Ukrainën. Pozicioni i saj gjeopolitik është një pikë e rëndësishme midis tre kontinenteve, plus Bosforit si një lidhje kyçe me Detin e Zi dhe Danubin (një rrugë e rëndësishme transporti për një duzinë vendesh evropiane). Nga ana tjetër, Erdogan ka një lidhje të drejtpërdrejtë me Putinin. Turqia është një faktor i rëndësishëm në stabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të Afërt. Turqia ka diplomaci të fortë dhe ndikim pozitiv. Irani është një problem i madh botëror, kurse Turqia duket se po i propozon një “karrotë dhe shkop” rregjimit që duket se ka qendra të shumta pushteti.

Çfarë lloj të ardhmeje?

Turqia, me një milion ushtarë, ka qenë prej kohësh një fuqi e madhe në krahun jugor të NATO-s. Por nuk ka marrë një shpërblim nga Evropa, të cilën e ka mbrojtur për 40 vjet. Franca e ka injoruar atë me arrogancë dhe përbuzje për shkak të elementit të saj islamik. Turqia lidh tre kontinente, dhe Ngushtica e Bosforit i jep asaj një pozicion të rëndësishëm gjeopolitik. Ishte një faktor kyç në zgjidhjen e problemit të Gazës. BE-ja së shpejti ndoshta do të përpiqet ta pranojë atë në anëtarësim sipas një procedure të përshpejtuar, pas 50 vjetësh trajtimi poshtërues.

Turqia e pengoi Iranin të ndante Irakun dhe Sirinë. Fakti që Papa e vizitoi atë, pavarësisht se është një shtet me populate islamike, është provë se ajo është një fuqi e madhe në botë. Për t’iu kundërvënë Rusisë, e cila përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik, si dhe kërcënim të vazhdueshëm me terrorizëm. Aleatët do të përmbushin angazhimin e tyre nga Haga për të rritur investimet e tyre në nevojat themelore të mbrojtjes me më shumë se 139 miliardë dollarë. Ata do të investojnë më shumë në mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, sisteme pa pilot, teknologji të përparuara dhe aftësi inteligjence. Kjo përfshin zhvillimin e një reje transatlantike ndërvepruese për luftë dhe miratimin e modeleve të fuqishme të inteligjencës artificiale.

Për vitin 2026, aleatët premtojnë 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnime për Ukrainën dhe riafirmojnë detyrimin e tyre sovran për të ruajtur të paktën nivele ekuivalente në vitin 2027.

Aleatët do të punojnë për të siguruar që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore dhe do t’i bëjnë thirrje Iranit që të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Por në Gjirin Persik, gënjeshtrat janë në sipërfaqe dhe e vërteta është në thellësi.

Dhe të gjithë po i bëjnë thirrje Zotit! Ndërsa bota është gjithmonë duke gjetur një zgjidhje, ne po përballemi me problemin. Duhet ta kishim kuptuar shumë kohë më parë se nëse pengohemi në të njëjtin gur shtatë herë, nuk duhet ta kërkojmë problemin te guri. Anijet në port janë më të sigurtat, por ato nuk janë ndërtuar për këtë. Por, ja që paratë e mëdha krijojnë njerëz të vegjël.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Kolumnat e PortalbitMersel Bilalli