Bashkimi Evropian ka njoftuar një paketë të re masive sanksionesh individuale që godet drejtpërdrejt kompleksin ushtarak-industrial të Rusisë, me synim dëmtimin e kapacitetit të saj për të vazhduar luftën agresore kundër Ukrainës, raporton Portalb.mk. Kjo masë përfaqëson paketën më të madhe të sanksioneve individuale që nga viti 2022, duke përfshirë mbi 1,600 kompani dhe individë të lidhur me prodhimin ushtarak, me çka numri i përgjithshëm i subjekteve të sanksionuara nga blloku evropian rritet për gati 50 për qind, nga më shumë se 3,000 në mbi 4,500. Krahas kësaj mase, janë miratuar edhe 77 emërime të reja ndëshkuese në përgjigje të zgjedhjeve farsë të organizuara nga Moska në territoret e pushtuara ilegalisht në Ukrainë.
Ndërkohë që Rusia planifikon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për gati 30 për qind në vitin 2027—duke kaluar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel i papre parë që nga koha e Bashkimit Sovjetik—Franca ka kërkuar vazhdimin e përpjekjeve për të miratuar deri në fund të vitit edhe një paketë të 22-të ambicioze me masa të thella sektoriale në fushat e energjisë, financave dhe shmangies së sanksioneve përmes vendeve të treta.
Qëllimi qendror i këtyre masave është shtimi i presionit mbi arkitekturën industriale të luftës së Kremlinit. Vendimi përfshin specifikisht 826 kompani dhe 743 drejtues ekzekutivë të tyre, të cilët përbëjnë thelbin e industrisë luftarake ruse me mbi 250 mijë punonjës dhe një qarkullim vjetor prej afërsisht 20 miliardë eurosh. Këto subjekte furnizojnë komponentët kyç për sistemet më të sofistikuara të armatimit që përdoren kundër popullatës civile dhe infrastrukturës ukrainase, duke përfshirë raketat balistike dhe ato të lundrimit Iskander, Zircon, Oreshnik, RM-48U dhe Kalibr, si dhe dronët me rreze të gjatë dhe avionët luftarakë. Rrjeti i shënjestruar përfshin furnizues të pajisjeve elektronike, gjysmëpërçuesve, mikroiteteve, kompjuterëve, radarëve, antenave, optikës, navigacionit dhe eksplozivëve, të cilët synojnë rritjen e precizionit dhe forcës shkatërruese për të mposhtur mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Kjo ndërhyrje thellon masat paraprake evropiane duke mos goditur vetëm rreth 80 kompanitë e mëdha të sanksionuara më parë, por të gjithë rrjetin e mesëm të furnizimit dhe ndërmjetësit që përfitojnë nga lufta.
Sipas të dhënave, sanksionet perëndimore tashmë i kanë kushtuar Rusisë mbi 1.3 trilionë euro, duke goditur bazat e ekonomisë së saj luftarake përmes kufizimeve ndaj flotës hije, bankave, kriptomonedhave, të ardhurave nga nafta dhe rafinerive. Të 21 paketat e deritanishme po e ngushtojnë hapësirën manovruese ekonomike të Moskës, duke rritur kostot, barrën administrative dhe varësinë nga vende të huaja, ndërsa barra ekonomike po transferohet drejtpërdrejt te qytetarët rusë. Deficiti federal i vendit parashikohet të arrijë në 3.2 për qind të PBB-së në vitin 2026, teksa inflacioni qëndroi në 6.3 për qind në gusht, duke tkurrur fondin sovran dhe duke shkurtuar ndjeshëm shpenzimet sociale dhe investimet civile afatgjata.
Në këtë kuadër, Franca ka luajtur një rol prijës gjatë vitit 2026 në zbatimin e kufizimeve, duke iniciuar masa ndaj dhjetë anijeve dhe rreth 30 operatorëve detarë të flotës hije (pothuajse gjysma e të gjitha emërimeve evropiane në këtë fushë), si dhe ndaj rrjeteve të shmangies së sanksioneve përmes kriptomonedhave. Gjithashtu, me nismën e Parisit u futën në listë të zezë rreth 40 subjekte të lidhura me kompleksin ushtarak, përfshirë ekosistemin e dronëve Garpiya në paketën e 21-të, krahas një të katërtës së të gjitha emërimeve kundër aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në Evropë, ku një rast i fundit ishte sanksionimi i agjentes së ndikimit rus Xenia Fedorova më 24 shtator 2026 në territorin francez.