Postimi është vendosur qëllimisht pa zbuluar se për cilin vend bëhet fjalë për të tërhequr sa më shumë vëmendje. Natyrisht për këtë ndihmon edhe fotografia me denarë, valutë e përdorur në Maqedoni. Ndaj një pjesë e madhe e ndjekësve që e kanë parë kanë menduar se bëhet fjalë për vendin tonë, pa e hapur lajmin, shkruan Vërtetmatësi.
Po analizojmë një postim në Facebook që në mënyrë bombastike njofton se paga minimale do të rritet nga 1 janari.
Nga 1 janari, paga minimale do të jetë 750 euro, thuhet në njoftim.
Në njoftim nuk specifikohet se për cilin shtet bëhet fjalë, por nga fotografia e cila tregon denarë, logjikisht mendohet se bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut.
Postimi është mjaft viral dhe ka mbi 600 reagime, më shumë se 160 komente dhe mbi 70 shpërndarje.
Një pjesë e madhe e atyre që e panë shpalljen menduan se paga minimale do të rritet nga 1 janari në Maqedoni, gjë që mund të shihet edhe nga komentet poshtë tij.
Por postimi ndan një artikull të cilin kur ta hapni, do të shihni se është një lajm që i referohet Kroacisë, jo Maqedonisë.
Shuma e pagës minimale neto në Kroaci nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të rritet me rreth 80 euro, nga 670 në 750 euro, që paraqet një rritje prej 15%, ka vendosur qeveria kroate, thuhet në fjalinë e saktë të lajmit.
Por njoftimi u vendos qëllimisht pa zbuluar se për cilin shtet bëhet fjalë për të tërhequr sa më shumë ndërveprime. Natyrisht për këtë ndihmon edhe fotografia me denarë, valutë e përdorur në Maqedoni. Ndaj një pjesë e madhe e njerëzve që e panë menduan se bëhej fjalë për vendin tonë, pa e hapur lajmin.
Dihet se shumë njerëz nuk i lexojnë plotësisht lajmet apo titujt dhe reagojnë dhe informohen nga ajo që shohin fillimisht në postimet në Facebook. Prandaj, është e nevojshme që mediat të specifikojnë saktësisht se çfarë nënkuptohet kur publikojnë lajmet dhe të mos i çojnë njerëzit në drejtim të gabuar. Nga ana tjetër, ndjekësit e rrjeteve sociale duhet të lexojnë lajmin e plotë përpara se të nxjerrin përfundime.
Për të gjitha faktet më sipër, gjykojmë se postimit që po analizojmë i mungon konteksti.