Pas një procedure hetimore, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një banoreje të Gostivarit me vendbanim në Shkup për dy vepra penale – Moskujdes dhe keqpërdorim i fëmijës nga neni 201 paragrafi 1 dhe dy vepra penale – Lëndim trupor nga Neni 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Që nga prilli i këtij viti, 34-vjeçarja e akuzuar si prind, duke neglizhuar rëndë detyrën e kujdesit dhe edukimit, ka neglizhuar dhe keqtrajtuar dy fëmijët e saj – njëri i lindur në 2017, tjetri në 2019.
“Fëmijëve ajo ua lidhte duart, gjunjët dhe këmbët e fëmijëve me shirit ngjitës dhe i linte të qëndrojnë në atë pozicion në një karrige ose në shtratin e tyre ndërsa ishte në banesë. Me fëmijën e vogël ajo ka komunikuar duke shfaqur agresivitet verbal dhe fizik dhe nuk ka treguar shqetësim për përmirësimin e gjendjes së tij, edhe pse ekspertiza e kryer me urdhër të prokurorit publik ka konstatuar se ai ishte fëmijë i neglizhuar nga ana sociale dhe emocionale me pjekuri psikomotorike dhe psikosociale nën moshën e tij reale”, njoftojnë nga Prokuroria.
Më 7 maj, gjatë kryerjes së dhunës familjare, e pandehura ka plagosur fizikisht fëmijët e saj. Teksa po bënte një video-telefonatë në një rrjet social me partnerin e saj jashtëmartesor, dukshëm e shqetësuar, filloi pa asnjë rast apo arsye t’i godiste fëmijët në trup, duke u shkaktuar atyre lëndime fizike – gunga dhe mavijosje.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarën.