Pas reagimeve të pacientëve se në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji mungojnë terapitë Zoladex, Fulvestrant dhe Xgeva, drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, për Skopje1 e ka konfirmuar se aktualisht ka mungesë të përkohshme, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, arsyeja është vonesa në furnizimet nga distributorët, ndërsa Klinika është në komunikim të vazhdueshëm me ta me qëllim që situata të tejkalohet sa më shpejt.
“Për momentin ka mungesë të përkohshme për shkak të problemeve dhe vonesave në furnizimet nga distributorët. Klinika është në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe, sipas informacioneve të marra, ilaçet do të jenë sërish në dispozicion në një kohë sa më të shkurtër”, deklaroi Stojkovski.
Më herët, pacientët përmes grupeve në rrjetet sociale reaguan se mungojnë terapitë Zoladex, Fulvestrant dhe Xgeva, të cilat përdoren në trajtimin e llojeve të caktuara të kancerit të gjirit, si dhe te pacientët me sëmundje të përhapur në kocka.
Ata shprehën shqetësim se shtyrja e terapisë mund të ndikojë në rrjedhën e trajtimit, ndërsa sipas informacioneve të tyre, nga Klinika u ishte thënë se ilaçet priten të arrijnë gjatë javëve në vijim.
Ndryshe, problemi me mungesën e terapive paraqitet vazhdimisht kohë pas kohe në Klinikën e Onkologjisë.