Osmani: Shtetasit e RMV-së janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga policia e Kosovës

Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga policia e Republikës së Kosovës, sot në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga policia e Kosovës. Rrethanat në të cilat u gjendën ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë, njoftoi ministri i MPJ-së, Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.

“Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme është njoftuar menjëherë për këtë situatë përmes kanaleve të rregullta dhe kam biseduar personalisht me kolegen time Donika Gërvalla-Shvarc. Gjatë gjithë procesit, shërbimet e Kosovës garantuan sigurinë e qytetarëve tanë dhe ambasada jonë në Prishtinë ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta”, thuhet në njoftimin e Osmanit në Facebook.

MPJ-ja e Maqedonisë dje në orët e hershme informoi se shtatë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëri prej tyre fëmijë, ishin në afërsi të manastirit ku u krye sulm i armatosur ndaj forcave policore të Kosovës.

Kujtojmë se një polic dhe tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e 24 shtatorit në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter.

Dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Prishtinë.

Sulmin e armarosur e dënuan Bashkimi Evropian dhe ShBA-të.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier  th se “Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në një deklaratë për media ka thënë se dënon ashpër sulmin.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në deklaratën e Borrellit.

Bujar OsmaniMinistria e Punëve të Jashtme (MPJ)Policia e KosovësVeriu i Kosovës