Nxënësit në shkollat e Komunës së Kumanovës vazhdojnë të përballen me mungesë të librave edhe pse mbaron dhe java e dytë e vitit të ri shkollor. Ata ankohen se edhe ato libra që kanë marrë janë të dëmtuara dhe të mbushura me shkrime. Situata nuk është përmirësuar pavarësisht premtimeve të ministres së Arsimit se këtë vit nuk do të ketë mungesë të librave, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk bisedoi me disa drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme të Kumanovës, ata thonë se ende nuk kanë pranuar tekste të reja.
“Deri më tani nuk kemi marrë asnjë libër nga Ministria e Arsimit dhe presim që të shpërndahen tekstet e nevojshme për nxënësit”, tha Ragmi Aliu drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Nace Bugjoni.
“Nxënësit kanë marrë librat për këtë vit shkollor. Tek klasa nëntë mungon një numër i vogël librash për gjuhën shqipe, gjuhën maqedone, dhe gjuhën gjermane, ndërsa te klasat e teta po haset i njëjti problem për të njëjtat tre lëndë. Librat duhet të shpërndahen para fillimit të muajit shtator”, tha Fatmir Ebibi drejtor i shkollës fillore Bajram Shabani.
“Të gjithë nxënësit i kanë marrë librat që kemi pasur në dispozicion. Vitet e para janë të furnizuara me komplet librat, ndërsa për vitet tjera kemi mungesë si te lëndët profesionale, ashtu edhe te ato të përgjithshme, sidomos për klasat e treta dhe të katërta. Jemi në pritje që Ministria e Arsimit të na furnizojë me librat që mungojnë. Kemi informacion se brenda ditëve në vijim do të na dorëzohen librat që tashmë janë gati”, tha Lutfije Veseli, drejtoresha e shkollës së mesme ekonomike “Pero Nakov”.
Nxënësit ankohen se librat e dëmtuar ua vështirësojnë mësimin
“Na i sollën librat, por pothuajse të gjitha janë të dëmtuara, të grisura dhe të mbushura me shkrime nga nxënësit e viteve të kaluara. Me këto libra është shumë e vështirë të mësojmë, sepse nuk mund të lexojmë qartë as të shkruajmë ushtrimet siç duhet,” tha një nxënës i klasës së katërt.
“Më mungon vetëm libri i kimisë, ndërsa librat e tjerë na i kanë sjellë,” tha një nxënëse e klasës së shtatë.
Nga Komuna e Kumanovës nuk japin numër konkret se sa libra mungojnë në të gjithë shkollat.
Kujtojmë se më 10 shtator 2025, Portalb.mk analizoi situatën në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë, ku drejtorët theksuan se kanë pranuar vetëm një pjesë të librave, ndërsa më 12 shtator e njëjta situatë u evidentua edhe në shkollat e Komunës së Likovës.
Ministrja me javë trumbetonte se ka libra, që më pas të pranojë se nuk ka
Prej javësh, ministrja e Arsimit Vesna Janevska ka siguruar se këtë vit, të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në vitin e katërt të arsimit të mesëm do të kenë tekste shkollore dhe se kjo Qeveri e ka bërë të mundur këtë, si asnjë tjetër para saj. Megjithatë, më 5 shtator pas ankesave të prindërve në konferencë me gazetarët, ajo pranoi se ka probleme me tekstet shkollore, ndërkaq për të njëjtat janë shpenzuar 11 milionë euro.
Megjithatë, edhe pas kësaj deklarate si dhe pas konfmrimit të redaksisë sonë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës një përgjigje për Portalb.mk vazhdojnë të insistojnë deklarativiaht se janë siguruar tekste shkollore për të gjithë nxënësit.
“Plotësisht të reja janë për klasën e shtatë në arsimin fillor dhe për vitin e parë në gjimnaz për shkak të zbatimit të programeve të reja mësimore, ndërsa për herë të parë pas shtatë vitesh ka edhe tekste të reja në të gjitha gjuhët e huaja në arsimin fillor dhe të mesëm. Është shtypur i gjithë tirazhi që e kërkuan shkollat përmes aplikacionit elektronik të MASh-it”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Kujtojmë problemi i mungesës së librave pengon arsimin e mirëfilltë me vite të tëra në RMV, kurse autoritetet secilin fillim-vit japin deklarata por nuk ndërmarrin hapa thelbësore për ta zgjidhur çështjen deri në fund.