Numri i shtatë i Revistës shkencore “Etnoalb” solli hulumtime të etnokulturës së shqiptarëve të Pelagonisë

Këto ditë ka dalur nga shtypi numri i shtatë i revistës shkencore të Shoqatës së Etnokulturës Shqiptare “Etnoalb”në Shkup. Në revistë janë përfshi trajtesa të studiuesve vendas dhe ndërkombëtarë të lexuara në Konferencën Shkencore “Etnokultura e Pelagonisë (Prilep, Krushevë, Demir Hisar)” mbajtur në Krushevë më datën 29-30 shtator 2023, transmeton Portalb.mk.

Bukurije Mustafa Kryetare e Shoqatës së Etnokulturës Shqiptare “Etnoalb” për Portalb.mk tha se revista përmban 20 kumtesa të studiuesve të fushave të caktuara nga Shqipëria, Kosova dhe vendi.

“Numri i 7-të i Revistës shkencore për folklor dhe etnologji “Etnoalb”, është një përmbledhje e referateve të prezantuara në Konferencën me titull “Etnokultura e Pelagonisë (Prilep, Krushevë, Dollnen)”, organizuar nga Shoqata e Etnokulturës Shqiptare Etnoalb në shtator të vitit 2023, të mbajtur në Krushevë. Revista përmban 20 kumtesa të studiuesve të fushave të caktuara nga Shqipëria, Kosova dhe vendi. Sipas tematikës është e ndarë në tri pjesë, Folklor, Etnologji dhe trajtesa në fusha tjera, duke iu dhënë hapësirë për një trajtim më të shtrirë të temave, të lidhura kryesisht me fushën e Pelagonisë. Edhe pse kemi përfshirë rajon të caktuar, siç është Pelagonia, si Shoqatë e pamë të arsyeshme, që një hapësirë t’i jepet edhe etnokulturës te shqiptarët e Velesit dhe vlen të theksohet që mbetëm të befasuar që askush më parë, nuk ishte marrë me hulumtimin e kësaj zone dhe mbetet si detyrë e obligim që në të ardhme t’i kushtohet kujdes hulumtimit në fshatrat e kësaj ane, ngase ka material të vlefshëm etnokulturor”, tha Mustafa.

Revista ju ofron lexuesve që për së afërmi të njoftohen me trashëgiminë e pa hulumtuar deri më tani.

“Mendoj që revista të karakterit hulumtues dhe shkencor lidhur me trashëgiminë kulturore te shqiptarët e Maqedonisë, në hapësirën tonë mungojnë dhe kjo revistë është një mundësi për t’i promovuar vlerat kulturore, edhe pse duhet të pranojmë  që jemi vonë me disa procese, nëse kihet parasysh që shqiptarët kanë jetuar nëpër sisteme të ndryshme politike dhe shumë pak ose aspak nuk janë marrë me studimin e mirëfilltë kulturor të tyre. Rrethanat tanimë kanë ndryshuar, por duhet pasur parasysh që pjesa më e madhe e fshatrave janë boshatisur dhe në këtë mënyrë, vështirë gjejmë rite, zakonet etj. Në rrethana të këtilla, revista ofron mundësi që të trajtohen tema nga jeta e shqiptarëve, ashtu si i gjejmë në terren”, tha Mustafa.

Mustafa gjithashtu theksoi se shumë nga temat e trajtuara mund të përdoren në funksion të hulumtimit të mëtejshëm studimor.

“Patjetër, se e vërteta gjendet atje në terren, por duhet të jemi të vetëdijshëm që për çdo ditë humbim nga trashëgimia e jonë dhe shumë nga temat e trajtuara mund të përdoren në funksion të hulumtimit të mëtejshëm studimor, edhe pse interesimi te të rinjtë mungon, por këto janë edhe njohuri që mund të shfrytëzojnë edhe studiues të huaj, të cilët merren me çështjet e shqiptarëve”, tha Mustafa.

Mustafa foli për planet dhe projektet e shoqatës “Etnoalb”.

“Shoqata e Etnokulturës Shqiptare “Etnoalb”, që nga themelimi i saj u përqendrua në realizimin e konferencave shkencore, duke mbuluar tërë viset shqiptare brenda Maqedonisë, e filluam nga Kërçova, Dibra, Gostivari dhe Reka, Struga dhe Ohri, Manastiri dhe Prespa, Pelagonia dhe së fundmi në Tetovë. Këtë vit po përgatisim numrin e 8-të të Revistës  “Etnoalb”, në të cilën do të përmblidhen punimet e konferencës me tematikë etnokultura e Tetovës, si dhe në shtator planifikojmë të mbajmë edhe një konferencë, e cila do t’i kushtohet Shkupit me rrethinë dhe Kumanovës me rrethinë”, tha Mustafa.

Revista përfshin 8 studime nga fusha e folklorit me autorë: Agron Xhagolli,  Zymer Neziri, Mustafa Ibrahimi, Hamit Xhaferi, Zeqirja Neziri, Vebi Bexheti, Bekim Ramadani dhe Osman Adili.

Në revistë janë botuar edhe 6 hulumtime nga fusha e etnologjisë me autorë: Izaim Murtezani, Bukurije Mustafa, Hiriet Ziberi, Qemal Musa, Rini Useini dhe Zejna Halimi.

Në fund të revistës janë botuar edhe 6 trajtesa nga fusha tjera si hekurudha, arsimi, politika, mjekësia me autorë: Besnik Emini, Muhamedali Ibrahimi, Agron Salihi, Sevgani Ibrahimi, Rexhep Ibrahimi, Irfan Ahmeti dhe S.Ahmeti-Jakupi.

HulumtimKultura shqiptareKulturë lajmeStudim