Nga 11 korriku deri më 4 gusht, Tetova do të jetë nikoqire e manifestimit veror “Tetova n’festë 2026”, i cili sjell një program të pasur me aktivitete kulturore, sportive, artistike dhe argëtuese për të gjitha grupmoshat, shkruan Portalb.mk.
Hapja e manifestimit u bë dje me 11 korrik me aktivitetin “Off Road Tetova”, ndërsa gjatë javëve në vijim janë planifikuar gara sportive, turne futbolli e basketbolli, karate, bilardo, crossfit, water polo, ekspozita, panele diskutimi, shfaqje për fëmijë, kinema e hapur, net tematike kushtuar kulturave të ndryshme, koncerte dhe mbrëmje muzikore.
Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës, për Portalb.mk, tha se qyteti këtë verë synon të jetë një nga qendrat kryesore të ngjarjeve kulturore, sportive dhe artistike në vend.
“Pa asnjë dyshim, Tetova këtë verë do të jetë qendra e ngjarjeve kulturore, sportive dhe artistike në vend. Me ‘Verën Tetovare 2026’ kemi përgatitur një program ambicioz, që e shndërron qytetin në një skenë të hapur për qytetarët dhe për mijëra vizitorë nga rajoni”, tha Alili.
Sipas tij, edicioni i sivjetëm është më i pasuri i organizuar deri më tani, me mbi 40 aktivitete të ndryshme.
“Programi përfshin muzikë, sport, film, folklor dhe argëtim. Krahas artistëve të njohur, kemi vendosur theks të veçantë edhe te promovimi i talenteve vendore. Synimi ynë është që çdo mbrëmje të ketë atmosferën e vet dhe Tetova të jetë destinacioni i parë për ata që kërkojnë përmbajtje cilësore gjatë verës”, theksoi ai.
Alili tha se programi është konceptuar si një festival i gjithë qytetit dhe jo vetëm si një seri koncertesh.
“Nuk jemi fokusuar vetëm te koncertet, por kemi krijuar një mozaik aktivitetesh ku secili mund ta gjejë veten. Sporti promovon jetën aktive, filmi dhe arti e pasurojnë jetën kulturore, ndërsa folklori ruan dhe promovon identitetin tonë. Të gjitha së bashku pasqyrojnë shpirtin e Tetovës”, u shpreh Alili.
Ai vlerësoi se përfshirja e artistëve vendorë përkrah emrave të njohur nga rajoni është një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e skenës artistike lokale.
“Ne duam që artistët tanë të performojnë në të njëjtat skena me emrat më të njohur të rajonit. Kjo promovon talentin lokal, krijon mundësi të reja bashkëpunimi dhe kontribuon në zhvillimin e skenës artistike në Tetovë. Një qytet zhvillohet kur investon te talenti i vet”, deklaroi ai.
Duke folur për programin nga 13 korriku deri më 4 gusht, Alili njoftoi se publiku do të ketë në dispozicion aktivitete për të gjitha grupmoshat.
“Do të kemi koncerte, net rinore, gara sportive, mbrëmje folklorike, shfaqje filmike, ekspozita, aktivitete për fëmijë dhe shumë ngjarje të tjera në hapësira të ndryshme të qytetit. Për më shumë se tri javë, Tetova do të jetojë çdo ditë me ritëm festiv”, tha Alili.
Në program marrin pjesë edhe ansamble kulturore nga vendi dhe rajoni, përfshirë Ansamblin Kombëtar “Shota”, Ansamblin Shtetëror të RMV-së, si dhe shoqëri kulturore shqiptare.
Manifestimi do të përmbyllet më 4 gusht me turneun e basketbollit rrugor “Street Basket”. Organizatorët ftojnë qytetarët dhe vizitorët që të bëhen pjesë e aktiviteteve, të cilat synojnë ta shndërrojnë Tetovën në qendër të kulturës, sportit dhe argëtimit gjatë sezonit veror.