Struga në ritmin e “Këngë Jeho”, sonte nata përmbyllëse e festivalit

Struga për dy net me radhë ka jehuar nga kënga, vallja dhe ngjyrat e traditës shqiptare, në kuadër të edicionit të 35-të të Festivalit të Këngëve dhe Valleve të Përpunuara dhe të Stilizuara “Këngë Jeho”, shkruan Portalb.mk.

Mbrëmja e parë, e mbajtur më 10 korrik, solli në skenë ansamble dhe shoqëri kulturo-artistike nga Librazhdi, Kumanova, Struga, Gjeorgjia, Veleshta, Bosnja, Kaçaniku dhe Tetova. Programi u pasurua edhe me interpretimet e këngëtarëve Kastriot Tusha, Neat Curri, Flamur Ismaili dhe Xhemail Murtishi, Nexhat Kumnova, Evelina Shabani dhe Lirije Mustafi.

Mbrëmja e dytë, më 11 korrik, vazhdoi me paraqitjet e Ansamblit “Azis Ndreu” nga Tirana, grupit “Gjergj Arianiti” nga Mallakastra, Ansamblit “Bulgarian Dance” nga Bullgaria, ShKA “Dibra e Madhe” dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova. Në skenë performuan edhe Liri Rasha, Vera Laçi, Astrit dhe Igli Bella, Edis Fero, si dhe Arjeta e Ariana Ajredini.

Foto nga edicioni i 35-të i festivalit “Këngë Jeho”. Foto: Zini Jusufi

Sonte do të mbahet nata e tretë dhe përmbyllëse e festivalit. Para publikut do të prezantohen ShKA “Valët e Liqenit” nga Ladorishti, ShKA “Bresana” nga Dragashi, Qendra Kulturore “Kaçanik”, Ansambli “Orion” nga Gjeorgjia, Ansambli “Përparim Tomçini” nga Peshkopia dhe ShKA “Emin Duraku” nga Shkupi. Mbrëmjen finale do ta pasurojnë edhe interpretimet e Arif Vladit, Agim Poshkës, Evelina Shabanit, Xhemail Murtishit, Violeta Kukajt dhe Skifter Etemit.

Festivali, i cili këtë vit shënon 35-vjetorin, ka sjellë në Strugë qindra artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera, duke e shndërruar qytetin buzë Drinit në qendër të folklorit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në mbrëmjen e sotme përmbyllëse, krahas programit artistik, do të shpallen dhe do të ndahen edhe çmimet e edicionit të 35-të të festivalit “Këngë Jeho”, duke kurorëzuar tri net të mbushura me këngë, valle dhe traditë.

Foto nga edicioni i 35-të i festivalit “Këngë Jeho”. Foto: Zini Jusufi
Festival muzikorKultura shqiptareKulturë lajmeStruga