Numri i rasteve të reja të diagnostikuara me autizëm në RMV po rritet, zbulimi i hershëm dhe mbështetja janë qenësore

Sipas vlerësimeve në Maqedoni janë të regjistruar rreth 1.000 deri në 1.500 fëmijë me diagnozë zyrtare (F84.0), por supozohet se numri real është dukshëm më i lartë, me qenë se ka shumë raste të padiagnostikuara ose të regjistruara nën kategori të tjera të pengesave në zhvillim, shkruan Instituti i Shëndetit Publik me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, transmeton Portalb.mk.

“Në Maqedoni vihet re një trend i rritjes së numrit të rasteve të diagnostikuara me autizëm. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht “epidemi”, por është rezultat i metodave të përmirësuara diagnostikuese, informimit më të madh të prindërve dhe kapaciteteve të përforcuara të punonjësve profesionalë”, thuhet në publikim.

Në pesë vitet e fundit numri i fëmijëve të sapodiagnostikuar me spektrin e Autizmit shënon një rritje të vazhdueshme. Numri më i madh i të sapodiagnostikuarve është në Shkup, ku edhe qasja në qendrat diagnostikuese (si Enti i Shëndetit Mendor “Mlladost” dhe Klinika e Sëmundjeve të Fëmijëve) është më e madhe. RMV ende përballet me nevojën për një regjistër kombëtar që do t’i ndiqte më saktë nevojat e këtyre personave nga fëmijëria e hershme deri në moshën madhore.

Autizmi, ose Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ÇSA), është një gjendje komplekse neuro-zhvillimore që zakonisht shfaqet në fëmijërinë e hershme dhe zgjat gjatë gjithë jetës. Ai ndikon në mënyrën se si një person komunikon dhe ndërvepron me njerëzit e tjerë dhe me botën rreth tij.]

Më konkretisht, sipas definicionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “Çrregullimi i Spektrit të Autizmit përfaqëson një grup gjendjesh të ndryshme që lidhen me zhvillimin e trurit. Ato karakterizohen nga një nivel i caktuar vështirësish në ndërveprimin social dhe komunikimin. Karakteristika të tjera janë modelet e pazakonta të aktiviteteve dhe sjelljeve, si vështirësitë gjatë kalimit nga një aktivitet në tjetrin, fokusimi në detaje dhe reagimet e pazakonta ndaj sensacioneve.”

“E rëndësishme është që të kuptohet se autizmi nuk është një sëmundje që “shërohet”, por një mënyrë specifike e funksionimit të trurit. Karakteristike për autizmin janë: sfidat në komunikimin social dhe gjuhën, modelet specifike, përsëritëse të sjelljes ose interesave, përpunimi i ndryshëm i informacioneve shqisore (tingujt, drita, prekja). Me qenë se bëhet fjalë për një “spektër”, çdo person është unik – disa kanë vështirësi të konsiderueshme në jetën e përditshme, ndërsa të tjerë zotërojnë aftësi të jashtëzakonshme në fusha të caktuara“, thonë nga Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve pranë ISHP-së.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vlerësohet se 1 në çdo 36 fëmijë në SHBA ka një diagnozë të spektrit të autizmit, që është një rritje e ndjeshme në krahasim me dekadat e kaluara. Në vendet e Bashkimit Evropian prevalenca ndryshon, por mesatarja lëviz rreth 1 në 100 persona, që do të thotë se në Evropë me autizëm jetojnë rreth 7 milionë njerëz.

“Zbulimi i hershëm është kyç. Sa më herët të fillohet me mbështetjen e duhur (trajtime logopedike, defektologjike dhe senzore), aq më të mëdha janë shanset për funksionalitet dhe pavarësi në të ardhmen. Çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri? Edukimi profesional: Përsosja e vazhdueshme e pediatërve për njohjen e shenjave të hershme. Arsimi inkluziv: Përshtatja e shkollave jo vetëm fizikisht, por edhe me kuadër mësimor dhe asistentë adekuat. Mbështetja e familjeve: Prindërit e fëmijëve me autizëm shpesh përballen me barrë të lartë sociale dhe ekonomike; shteti duhet të sigurojë shërbime më të mira për mbështetje. Stop stigmatizimit: Personi me autizëm nuk është “i çuditshëm” apo “i paedukatë”; sistemi i tij nervor thjesht punon ndryshe”, thuhet në tekstin e publikuar.

Kujtojmë se personat me autizëmjanë përfshirë për herë të parë në Ligjin për Punësimine Personave me Aftësi të Kufizuara dhe që tani e tutje, punëdhënësit dhe pronarët e kompanive do të jenë në gjendje të përdorin talentet e tyre specifike për profesione të caktuara dhe, në vend që të sigurojnë fonde për ambiente të veçanta, kushte pune, kufje për t’i izoluar nga zhurmat e jashtme, turmat dhe zhurma, do të mund të aplikojnë që t’iu ndihmojë shteti.

Autizëm