Nuk është zbatuar asgjë për mbrojtje, UNESCO sërish propozon që Rajoni i Ohrit të vendoset në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik

“Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Rajonit të Ohrit (Shqipëria, Maqedonia e Veriut) të vendoset në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik”, thuhet në projekt-vendimin e fundit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Vendimin përfundimtar Komiteti duhet ta marrë më 22 korrik në kuadër të seancës të tij të 48, e cila do të mbahet në Busan, Kore e Jugut, nga 19-29 korriku, transmeton Portalb.mk.

Sipas arsyetimit në projekt-vendimin Komiteti propozon që Rajoni i Ohrit të vendoset në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik sepse përparimi është i pamjaftueshëm dhe kërcënimet janë serioze.

Edhe pse pranohen një numër i caktuar i hapave pozitive në të dy vendet, Komiteti vlerëson se rekomandimet kryesore nga misionet dhe vendimet e mëparshme nuk janë zbatuar, ndërsa degradimi i vlerës së jashtëzakonshme universale vazhdon.

Rreziqet kryesore sipas Komitietit nuk janë eliminuar. Theks i veçantë vendoset te koordinimi i pamjaftueshëm ndërkufitar, mungesa e vlerësimit gjithëpërfshirës për mjedisin jetësor, ​​problemet e pazgjidhura me urbanizimin dhe ndërtimet ilegale, projektet infrastrukturore, si dhe zgjidhja e ngadaltë e ndotjes dhe ujërave të zeza edhe më tej e rrezikojnë rëndë Rajonin e Ohrit.

Komiteti përkujton se për disa vite me radhë po paralajmëron për kërcënimet serioze dhe vlerëson se ato edhe më tej i plotësojnë kriteret për vendosjen e Rajonit të Ohrit në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik.

Nga Maqedonia dhe Shqipëria kërkohet të përgatisin një plan të përbashkët me masa korrektive, afate të qarta dhe një gjendje të dëshiruar të ruajtjes si bazë për heqjen e ardhshme të rajonit nga Lista e trashëgimisë botërore në rrezik.

Në analizën e raporteve të vitit 2026 të Qendrës për Trashëgiminë Botërore dhe organeve këshilldhënëse vlerësohet se për shkak të progresit të kufizuar dhe kërcënimeve të vazhdueshme, kushtet që Rajoni i Ohrit të vendoset në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik edhe më tej janë të plotësuara, me qëllim që të inkurajohen masa më të vendosura për mbrojtjen e tij.

Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Rajonit të Ohrit u shpall si trashëgimi botërore në seancën e tretë të UNESCO-s në vitin 1979. Në vitin 2019 kjo zonë u zgjerua për ta përfshirë pjesën shqiptare të liqenit dhe kështu u bë një vend ndërshtetëror i trashëgimisë botërore.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s edhe vitin e kaluar, në seancën e tij të 47, në një projekt-vendim propozoi që Rajoni i Ohrit të vendoset në Listën e trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore në rrezik. Por, Qeveria dorëzoi amendament për tërheqjen e atij vendimi dhe UNESCO i dha Maqedonisë dhe Shqipërisë edhe një vit tjetër afat.

Liqeni i Ohrit - StrugësOhriUNESKO – UNESCO