NTP thotë se funksionojnë pa ndërprerje, Pucko Petrol kërcënon se nuk do të dorëzojë naftë: A do të ketë Shkupi transport publik?

A do të ketë Shkupi transport publik në ditët në vijim? Kjo është dilema kryesore që po i mundon qytetarët që po ndjekin mosmarrëveshjet midis Qytetit të Shkupit dhe kompanisë Pucko Petrol, e cila furnizon NTP Shkup me karburant për autobusët e saj, transmeton Portalb.mk.

“Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, orari i NTP po funksionon pa ndërprerje dhe autobusët po operojnë rregullisht në të gjitha linjat”, tha Ndërmarrja e Transportit Publik, pasi dje kompania Pucko Petrol njoftoi se do të pezullojë furnizimet me karburant.

Këtë mëngjes, NTP informoi se megjithatë kishin marrë sasi të caktuara nafte, të cilat janë të mjaftueshme për dy ditë.

Qyteti i Shkupit njoftoi dje në një deklaratë se megjithëse NTP ka kontratë aktive për furnizimin me naftë me Pucko Petrol, kjo e fundit, për shkak të presionit politik nga partia në pushtet në periudhën para zgjedhjeve lokale, ndaj pronarit Asmir Jahoski, i cili përballet me akuza dhe dënim me burg, ka pezulluar furnizimet me karburant.

“Asmir Jahoski, i cili përballet me akuza dhe dënim me burg, po shantazhohet dhe, megjithëse ka kontratë aktive për furnizimin me naftë, ai e ka ndaluar furnizimin. Personi i shantazhuar bëri të njëjtën gjë për festat e Vitit të Ri dhe i lë qytetarët të presin në të ftohtë në dimër dhe në vapë në verë”, tha Qyteti i Shkupit.

Ata thonë se NTP ofron shërbim për qytetarët që është në interes publik, prandaj autoritetet e qytetit do të nisin procedura për përgjegjësi materiale dhe penale kundër Asmir Jahoskit dhe Pucko Petrol për mosrespektim të kontratës për furnizimin me naftë të NTP.

Nga ana tjetër, kompania thotë se NTP ka borxh mbi 10 milionë euro dhe ka fatura të papaguara për më shumë se dy vjet, gjë që, sipas tyre, është arsyeja kryesore pse u njoftua ndërprerja e furnizimit me karburant.

Për shkak të pasigurisë me të cilën përballet transporti publik dhe të gjithë qytetarët që varen prej tij, u njoftua një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, e cila ende nuk është caktuar.

Ish-nënkryetari i komunës dhe anëtari i pavarur i Këshillit, Aleksandar Trajanovski, konfirmoi për MIA-n se për momentin nuk ka njoftim për seancë të jashtëzakonshme.

Sipas Trajanovskit, një problem shtesë është se Këshilli nuk ka një kryetar të përhershëm, pasi Trajko Slaveski u largua nga detyra. Një kryetar emërohet individualisht për çdo seancë, gjë që, sipas Trajanovskit, e bën punën më të vështirë.

Qyteti njoftoi se do të fillojë procedurat përkatëse për përgjegjësi materiale dhe penale kundër Jahoskit dhe “Pucko Petrol” për mosrespektim të kontratës.

Nëse nuk caktohet seancë e Këshillit brenda dy ditësh, derisa ndërmarrja ka naftë për qarkullim, qytetarët rrezikojnë të mbesin pa transport/

Kujtojmë se edhe nëntorin e kaluar, problemi me transportin publik në Shkup u bë alarmant pasi autobusët e NTP “Shkup” ndaluan së qarkulluari për shkak të mungesës së naftës. Vetëm ato autobusë që punojnë me metan mund të shiheshin në rrugët e Shkupit.

Për të kapërcyer problemin, Qeveria, në një seancë të jashtëzakonshme, miratoi vendim me të cilin vërtetoi ekzistencën e një situate krize në furnizimin me energji termike në zonën e qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë termike, mundësisë së përdorimit të karburantit alternativ dhe kushteve në tregun e energjisë termike.

Në dhjetor, mediat raportuan se NTP “Shkup” kishte vendosur të zbatonte një furnizim intervenues të naftës me vlerë 120 milionë denarë pa TVSH. Furnizimi u krye nga “Pucko Petrol”, i cili ishte ofertuesi i vetëm.

Autobus(ë)Autobusët e ShkupitÇmimi i naftësNaftaNdërmarrja Qarkulluese (Transportuese) Publike Shkup (NQP) (JSP) (NTP)Qyteti i Shkupit