Një paradigmë e re: “Vetëskllavërimi”

Termi “vetëskllavërim (apo skllavëria vullnetare) është një koncept i fuqishëm që prek fusha të ndryshme: nga psikologjia dhe sociologjia, deri te filozofia politike. Në thelb, ai përshkruan gjendjen ku një individ ose një grup dorëzon lirinë, vullnetin ose autonominë e vet në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pavetëdijshme.  Filozofi francez La Boétie, në veprën e tij “Diskutim mbi skllavërinë vullnetare”, ngrinte pyetjen: Pse njerëzit i binden një tirani kur janë shumë më tepër në numër se ai?

Në Maqedoninë e Veriut politika është bërë shumë më partizane sesa në të kaluarën. Udhëheqësit partiakë kanë grumbulluar pushtet të madh dhe, ndër të tjera, përcaktojnë listat zgjedhore të partive, fate njerëzish, vende pune, rrjedha të ngritje-rënies së bizneseve. Sipas argumentimit të elitës së vjetër, pavarësisht ekzistencës së një sistemi demokratik dhe regjimi shumëpartiak, qytetarëve u mbetet të zgjedhin vetëm “shërbëtorët e partisë” – një formë zgjedhjeje ku cilësitë individuale anashkalohen. Në dallim nga figurat e forta të viteve 1980, “shërbëtorët bashkëkohorë të partisë”, sipas tyre, veprojnë dhe flasin vetëm në përputhje me vendimet e udhëheqjes, duke shtypur mendimet dhe qëndrimet personale, çka në fund pengon debatin demokratik. (CRPM, 2012)

Në periudhën e tranzicionit, lidershipi politik bashkë me eshallonet e veta kanë prodhuar një filozofi të re, atë të “skllavit”. Një mori qytetarësh për shkaqe të ndryshme, kryesisht sociale-ekonomike, kanë zgjedhur t’i nënshtrohet diktatit dhe kursit të partive që me metoda të ndryshme kanë afirmuar këtë kulturë të re: të vetëskllavërimit. Një arsye është edhe hakmarrja në forma të ndryshme, zakonisht me largime ose ndërrim të vendit të punës, kërcënime, komplote e linçime. Aq kanë fuqi aq veprojnë. S’kanë mundësi për internim, burgosje si dikur, por kanë metodologji tjetër për të penalizuar të padëgjueshmit ose ata që mendojnë ndryshe.

Komunizmi ka detyruar me forcë, kurse sot shumë njerëz me mend në kokë, që është më e keqja edhe intelektualë, shkollarë, vetëskllavërimin e preferojnë karshi dinjitetit personal që duhet ta ruajë çdo frymor human. E keqja në kub është pranimi i kësaj mënyre të artikulimit dhe jetesës nga popullata rinore, që duhet të jetë bartëse e proceseve. Forumet rinore janë shndërruar në “fabrika” të mendjeve të robëruara (Milosz). Një fenomen empirik gjatë periudhës së sundimit të BDI-së është sekuestrimi i  indeksave të studentëve për të mos marrë pjesë në protesta të organizuara për kauzën e vet dhe më gjerë shoqërore. Kjo tregon se partia e ka marrë pozitën e sovranit mbi të riun si subjekt aktiv.

Sipas një hulumtimi të realizuar para disa viteve nga CRPM është konstatuar se rreth 60% e të intervistuarve në sondazhin e opinionit publik kanë pohuar se njerëzit kishin më shumë liri personale gjatë komunizmit se sa sot. Establishmentet politike të demokracisë tranzicionale ns mënyrë të sofistikuar kanë krijuar mjedisin dhe klimën që qyetetarët t’iu robërojnë “vullnetshëm” atyre.

Sot rregullat e lojës” kanë ndryshuar: tani individi nuk shtypet nga një tiran i jashtëm, por merr pjesë aktive në nënshtrimin e vet, vetënënshtrohet për interesa parciale. Kjo nuk është thjesht një ngjarje e izoluar, por një dukuri dhe një mënyrë e re e funksionimit të shoqërisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit