Një shtatëdhjetë e shtatë vjeçar nga Shkupi, i cili është pacient në spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori”, ka goditur dje me thikë një punonjës të spitalit, konfirmon Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
“Dje në ora 19:47 nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit (SPQ) “8 Shtatori” është raportuar se D.T. (36) nga Shkupi, punonjës në spital, është lënduar pasi është sulmuar me thikë nga M.N.(77 ) nga Shkupi, pacient në spital”, njofton MPB.
Sipas njoftimit, sulmuesi ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj një punonjësi të spitalit më herët në korridor.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë oficerët policorë, dhe në koordinim me prokurorin publik, pas dokumentimit të plotë të rastit kundër M.N. do të dorëzohet parashtresa sipas nenit 304 të Ligjit për kujdesin shëndetësor”, shkruan në informacionet nga MPB.
Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Shëndetësisë ka reaguar duke thënë se qytetarët e dhunshëm dhe nervozë që kanë nevojë për kujdes shëndetësor duhet t’i lënë armët dhe thikat në shtëpitë dhe automjetet e tyre dhe të jenë të paarmatosur dhe të përgatitur psikofizikisht që problemet e tyre shëndetësore të adresohen në institucionet e kujdesit shëndetësor.
“Nga drejtorët e spitalit, përmes sigurisë fizike dhe monitoruese, kërkojmë rritjen e sigurisë së punonjësve shëndetësorë gjatë punës në institucionet shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Profesionistëve të Shëndetësisë.
Rasti është ende duke u zbardhur.