Në zyrën e presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj u hap ekspozita “Një Copëz Arti ” e nxënësve të Shkollës së Mesme Profesionale Tekstile “Gjoce Stojçeski” nga Tetova, raporton Portalb.mk.
Ekspozita e çelur në presidencë, solli nga Tetova në Tiranë, 63 punime me larmi ngjyrash e rrymash të cilat pasqyruan talentin e fëmijëve të frymëzuar nga tradita.
Kjo ekspozitë u hap në kuadër të vizitës së Komunës së Tetovës dhe Shkollës Tekstile në zyrën presidenciale
“Kjo ekspozitë, solli punimet e nxënësve dhe profesorëve të shkollës së Mesme Profesionale të Tekstilit, të gjitha punimet janë një dëshmi e kreativitetit, pasionit dhe përkushtimit të brezit të ri nga Tetova”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Presidenti Begaj, në fjalën e mirëseardhjes së tyre, i cilësoi fëmijët si misionarë në vijimësinë e ruajtjes së shpirtit të kombit, promovues të vlerave kulturore dhe edukative.
“Shkolla juaj profesionale ka një traditë disavjeçare në dizajnin e veshjeve të ndryshme, arte të aplikuara të interiorit, mobilieve dhe prodhimeve artizanale e ushqimore, dhe ky është një model që meriton promovim mbarëshqiptar, mbarëkombëtar”, është shprehur për mediat Begaj.
Kreu i Shtetit këshilloi artistët e vegjël të vijojnë me ruajtjen dhe promovimin e traditës. Duke iu referuar xhubletës dhe k’cimit të Tropojës të mbrojtur nga UNESCO, presidenti Begaj, u shpreh se, duhet të vazhdojmë të punojmë fort që edhe veshjet tona mijëravjeçare të trevave të tjera të shqiptarisë të shndërrohen në pasuri të të gjithë njerëzimit.
Krijimet janë nga tekstil dizajni deri te artet e aplikuara.