Më 20 mars, një 44 vjeçar nga Shkupi, ka vjedhur para në shumën totale prej 10.100 euro nga një këmbimore në rrugën “Arqipeshkvi Angelarij”. Ai e ka shfrytëzuar momentin kur punonjësi i këmbimores, për shkak të angazhimit në punë, ka dalë për pak kohë jashtë, kështu që i dyshuari ka hyrë në këmbimore, ka marrë paratë nga arka dhe është larguar menjëherë nga vendi, transmeton Portalb.mk.
“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë kundër 44-vjeçarit nga Shkupi i cili dyshohet se ka kryer veprën penale Vjedhje nga neni 235 paragrafi 1 të Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria.
I dyshuari ka qenë edhe më herët i dënuar, ndërsa ndaj tij janë duke u zhvilluar procedura të tjera penale.
“Ai u gjet dhe u arrestua shpejt”, thonë nga Prokuroria.
Duke pasur parasysh këtë, si dhe rrezikun që ai të ikë për t’iu shmangur ndjekjes penale, prokurori publik mbrëmë i ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit.