Nga viktimë në autor: Si po dështon sistemi t’i mbrojë fëmijët nga delikuenca në Maqedoninë e Veriut

Më pak dënime, më shumë dhunë mes të miturve

Në katin e gjashtë të Gjykatës Penale ndodhet një sallë gjyqi ku nuk hyjnë kamera televizive. Nuk ka publik dhe gjykatësit nuk veshin toga. Atje përfundojnë rastet për të cilat publiku paraprakisht dëgjon si lajme në media: “I mituri sulmoi nxënësit me thikë”, “Fëmijë ngacmojnë një vajzë”, “Një 15-vjeçar ka drejtuar kamionin”. Në atë sallë gjyqi fëmijët  vijnë si të pandehur. Atyre u gjykohet për dhunë, vjedhje, lëndime të rënda trupore, ndërmjetësim në shitjen e drogës, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Pikërisht në atë sallë gjykatësi mundohet të kompensojë gjithçka që paraprakisht nuk ia kanë dalë mbanë ta bëjnë familja, shkolla dhe institucionet – të edukojë.

Për dallim nga gjykimi i të rriturve, sistemi i drejtësisë për fëmijët bazohet në parimin se ndëshkimi është masa e fundit. Një fëmijë që është në rrezik ose në konflikt me ligjin, mbi të gjitha, duhet të riedukohet për t’u bërë një qytetar i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm në shoqëri. Analiza e BIRN nxorri në pah se edhe pse numri i fëmijëve të dënuar në Maqedoni po zvogëlohet, dhuna në mesin e fëmijëve po rritet.

Në fund më përqafojnë

Në Gjykatën Penale punojnë dy gjykatës të specializuar për fëmijë. Një nga ato është Vesna KostovaSpaseska. Nëpër sallën e saj të gjyqit kanë kaluar me qindra fëmijë të akuzuar për vjedhje, dhunë, posedim droge dhe kontrabandë. Ajo është 65 vjeçare, por vazhdon të punojë sepse beson se me përvojën e saj mund të bëjë ndryshim. Vepron sipas urdhërarresteve, cakton paraburgim dhe masa edukative, shqipton dënime me burg.

Ndryshe nga kolegët e saj gjykatës të gjykatave të tjera që gjykojnë lloj-lloj lëndësh, ajo e ka mundësinë të gjykojë vetëm fëmijët. Ajo ndau përvojat se si duket kur një fëmijë përballet me drejtësinë.

“Ata janë kaq të sinqertë dhe të hapur, tregojnë gjithçka. Nuk ka manipulime, nuk ka kalkulime”, tha KostovaSpaseska.

Përshtypja e saj është se, megjithatë, ata nuk ndihen shumë mirë në fillim kur paraqiten para saj.

“Ata nuk e dinë se çfarë janë veprat penale, ky është problemi. Ata nuk janë të vetëdijshëm”, shpjegon gjykatësja, duke përkujtuar se gjykata është instanca e fundit që duhet ta korrigjojë sjelljen e tyre. Ideja e Ligjit të Drejtësisë për Fëmijë, sipas të cilit ajo vepron, nuk është që ta ndëshkojë fëmijën: “Qëllimi është ta edukojë ose riedukojë dhe ta ekspozojë fëmijën në gjyq sa më pak të jetë e mundur.”

Bashkë me të punojnë edhe dy gjykatës porotë. Njëri nga ato është edukator, ndërsa tjetri profesor sepse ligji kërkon që gjykatësit porotë që gjykojnë fëmijë të jenë punonjës në arsim.

Por ky nuk është i vetmi dallim nga procedurat për të rriturit. Kushtet për gjykimin e fëmijëve janë shumë më rigoroze sesa kur gjykohen të rriturit. Edhe policët që bisedojnë me fëmijët që kanë kryer vepër penale duhet të jenë të trajnuar për këtë gjë. Ligji kërkon që, jo vetëm ata, por të gjithë ata që do të punojnë me fëmijë të kenë 10 vjet përvojë në këtë drejtim.

“Ne nuk veshim toga,” thotë gjykatësja, duke e shpjeguar detyrimin ligjor, i cili kërkon që gjykata të jetë më joformale në raportin e saj me fëmijët.

Dënim me burg mund t’u shqiptohet vetëm fëmijëve në moshë mbi 16 vjet 

Kushti është nëse fëmija ka kryer vepër penale për të cilën është paraparë dënim me pesë vjet burg ose dënim më i rëndë. Vepra penale duhet të jetë kryer në rrethana veçanërisht rënduese dhe me shkallë të lartë përgjegjësie penale dhe nëse nuk do të ishte i arsyeshëm shqiptimi i masës edukative.

Në procedurat urgjente për fëmijët publiku është i përjashtuar. Kur bëhet fjalë për një kundërvajtje, siç tha ajo, e gjithë procedura për fëmijë duhet të përfundojë brenda nëntë muajsh, ndërsa procedurat penale brenda një, ose një viti e gjysmë për veprat më të rënda.

Tek lëndët penale gjithçka nis nga prokurori, i cili duhet të dërgojë kërkesë për seancë parapërgatitore në gjykatë. Gjykata e merr në pyetje fëmijën në prani të prindit dhe avokatit me mendim paraprak nga Qendra për punë sociale.

Metoda e marrjes në pyetje është përshtatur me moshën e tyre, thotë gjykatësja: “E gjithë dëshmia shkon si tregim, nuk ka pyetje e përgjigje. Nënat ndonjëherë përpiqen t’i formalizojnë”.

Çdo vendim i gjykatës për fëmijë duhet të rishqyrtohet çdo gjashtë muaj.

Vendimet më të shpeshta janë mbikëqyrja e përforcuar nga prindi, gjegjësisht kujdestari, pastaj mbikëqyrja nga qendra dhe në disa raste referimi në shtëpi riedukimi. Nëse masa e urdhëruar nga gjykata zbatohet ose nuk zbatohet, përsëri caktohet seancë, thirren sërish të gjithë pjesëmarrësit në procedurë dhe sërish merret vendim.

“Në fund më përqafojnë”, thotë ajo me buzëqeshje. Jo sepse i ka liruar nga akuzat, por sepse përmes procesit fëmija e kupton se çfarë është sjellje e keqe.

Gjykatësja tregoi edhe se është përballur me situata kur para saj vijnë fëmijë që tashmë janë dënuar dhe që përsëri e kanë shkelur ligjin. E mbyllëm bisedën me të me mendimin se fitorja më e madhe për një gjykatës të fëmijëve nuk është sa vendime ka shqiptuar, por sa fëmijë ka arritur t’i drejtojë drejt një jete më të mirë.

Shpesh herë atë që ajo mundohet ta rregullojë përmes vendimeve të saj disa vite më vonë e shohim kolegët e saj që i gjykojnë të rriturit. Kështu, gjykatësja që i gjykon të rriturit, Sandra Krstiq, thotë se pasojat e parandalimit të pasuksesshëm shpesh shihen disa vite më vonë, në gjykatat e të rriturve.

“Kam shumë të pandehur që kanë pasur një precedent të mëparshëm si të mitur. Kryesisht për drogë, grabitje, dhunë… Kohët e fundit kam pasur shumë.”

Ajo është përballur edhe me situata ku prindërit e hedhin fajin për veprën penale, për shembull, për drogën e gjetur tek një i mitur. Ka pasur edhe shembuj të tjerë ku “fëmijët që kanë qenë viktima më vonë bëhen autorë të veprave penale”.

Numri i lëndëve për raste të dhunës gjithnjë e në rritje 

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk, burimi: Prizma

Analiza të cilën e realizoi BIRN duke i përdorur të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregon se në 17 vjet, nga viti 2009 deri në vitin 2025, në vendi tonë janë dënuar 7.122 fëmijë mbi të gjitha bazat. Kjo paraqet mesatarisht mbi 400 fëmijë në vit.

Shifrat tregojnë se vitin e kaluar kishte më pak fëmijë të dënuar dhe se me kalimin e viteve ka pasur një tendencë të rënies të numrit.

Por, sa i përket dhunës trendi është i kundërt.

Në tre vitet e fundit janë shqiptuar pothuajse po aq vendime për dhunë, 154, sa janë shqiptuar në gjashtë vitet e mëparshme, kur kishte 166.
Përveç dhunës vepra të tjera penale për të cilat ndiqen penalisht fëmijët janë vjedhja dhe vjedhja e rëndë dhe rrezikimi i sigurisë në trafik. Rritje kanë shënuar edhe veprat penale kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual.

Gjykatat më shpesh kanë shqiptuar masa edukative, pra mbikëqyrje nga familja ose kujdestarët ose nga qendrat e punës sociale. Dënimi i dytë më i shpeshtë është mbikëqyrja e shtuar nga qendra e punës sociale, ndërsa masat institucionale, siç është qëndrimi në  institucion edukues ose në shtëpi edukuese përmirësuese, janë më të rralla.

Gjykatësja KostovaSpaseska është e kënaqur me mënyrën se si zbatohen mbikëqyrjet në qendrat e punës sociale, që sipas saj do të thotë se masat e kanë arritur qëllimin e tyre. “Më i rëndësishëm është interesi më i mirë i fëmijës “, theksoi ajo.

Në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2025 gjykatat kanë shqiptuar 40 dënime me burg për fëmijë, ndërsa numri i kundërvajtjeve ndaj fëmijëve është më i lartë se procedurat penale.

Të dhënat që i siguruam nga Gjykata Penale në Shkup tregojnë se vetëm në një vit e gjysmë gjykata ka shqiptuar pothuajse 200 qortime ndaj fëmijëve për sulme fizike, rrahje dhe shkelje të Ligjit për Automjetet dhe Përdorimin e Piroteknikës.

Parandalimi i delikuencës të të miturve

Meqenëse parandalimi është më i rëndësishëm sesa ndëshkimi në vendin tonë vepron Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësinë për Fëmijë. Ky është një organ që i lidh të gjitha palët e përfshira në edukimin dhe interesat më të mira të fëmijëve: policinë, qendrat e punës sociale, këshillat lokale për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, prokurorinë, gjykatat, avokatët e fëmijëve dhe organizatat e shoqërisë civile.

Nga aje thonë se po punojnë në mënyrë aktive për rrjetëzimin ndërinstitucional, duke ofruar trajnime dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me sektorin e shoqërisë civile dhe masa e aktivitete të tjera afirmative.

Sallë gjyqi vetëm për fëmijë

Kryetarja e gjykatës, Daniella Dimovska, tha se po shqyrtojnë që përmes një projekti të përshtatin një sallë të posaçme gjyqësore të përshtatur për fëmijë. Në mënyrë të ngjashme në stacionet e policisë ku merren në pyetje fëmijët duhet të ketë dhoma të posaçme, ndërkohë që për momentin ka vetëm dy.

“Është e nevojshme që theksi në procese të vihet tek parandalimi, e jo tek represioni”, theksojnë nga atje. Ata thonë se nevojitet një analizë e faktorëve të rrezikut që kontribuojnë në format e reja të sjelljes së dhunshme tek fëmijët.

Raportin Vjetor mbi punën e këtij organi nga viti 2024 thuhet se një nga problemet kryesore është se komunat nuk kanë fonde për t’i vënë në funksion këshillat komunale për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, organe që i pasqyrojnë më nga afër nevojat e komunitetit lokal.

Në këto këshilla komunalë marrin pjesë përfaqësues të policisë, Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, qendrave të punëve sociale, përfaqësues të këshillave të prindërve në shkolla, Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Shoqatës së juristëve, shoqatave dhe fondacioneve, prokurorit publik, gjykatës për fëmijë…

Edhe pse raporti për vitin 2025 është ende në përgatitje e sipër, nga Këshilli thonë se vitin e kaluar gjithnjë e më shumë komuna e kanë njohur rëndësinë e këtij obligimi.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk, burimi: Prizma

Edhe Elena Georgievska nga Shoqata e Juristëve të Rinj të  Maqedonisë, organizatë e shoqërisë civile që bashkëpunon me Këshillin e Projekteve për Fëmijë, thotë se për momentin “sistemi më shumë reagon se sa që parandalon”.

“Është e rëndësishme të aktivizohen këshillat komunalë të paraparë me ligj për parandalimin e delikuencës së fëmijëve. Këto këshilla kanë potencialin të jenë pika kyçe ku bashkohen të gjitha hallkat e sistemit”.

Georgievska është e mendimit se duhet të krijohet një sistem që në vend të pasojave do të investojë në mbështetje të hershme, përfshirje të fëmijëve dhe masa që kanë efekt afatgjatë, sepse, “delikuenca e fëmijëve nuk zgjidhet në sallën e gjyqit ose me ndëshkim, por parandalohet në komunitet.

DelikuencaDhunë - DhunaFëmija/ëGjykata Themelore Penale Shkupi 1Gjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorTë drejtat e fëmijëveTë rinj - Rini - Rinia