Nga UT-ja me hulumtim në Frankfurt, Drita Memeti: Migrimi nuk është më vetëm “punë burrash”, gratë largohen edhe për zhvillim personal e profesional

Maqedonia e Veriut po humb jo vetëm gra dhe vajza, por edhe një pjesë të së ardhmes së saj. Ndërsa shumë prej tyre kërkojnë jetë më të mirë jashtë vendit ndërsa pasojat po bëhen të dukshme edhe në shifrat demografike. Vetëm gjatë periudhës 2019-2025, në Gjermani janë regjistruar 12.200 lindje nga prindër me vendbanim të regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, në vend po bie numri i lindjeve, po zbrazen shkollat dhe po humbet fuqia punëtore. Por çfarë po i shtyn gratë të largohen? A është vetëm varfëria dhe mungesa e perspektivës ekonomike, apo edhe pabarazia, diskriminimi dhe pamundësia për të ndërtuar një jetë të pavarur? Dhe mbi të gjitha, çfarë i kushton një shteti largimi i grave që duhet të jenë pjesë e zhvillimit të tij? Për këto çështje, sfidat e integrimit në Gjermani dhe pasojat afatgjata të emigrimit, në një intervistë për Portalb.mk flet studiuesja Drita Memeti, e cila gjatë vitit akademik 2026/2027 do ta thellojë hulumtimin mbi migrimin e grave dhe vajzave nga Maqedonia e Veriut në Universitetin Goethe në Frankfurt.

Portalb.mk: Gjatë vitit akademik 2026/27 do të hulumtoni migrimin e grave dhe vajzave nga Maqedonia e Veriut në Universitetin Goethe në Frankfurt. Duke qenë se këtë tematikë e keni trajtuar edhe më herët, çfarë synoni të hulumtoni më thellë këtë herë dhe cilat janë çështjet që kanë mbetur pa përgjigje nga studimet e mëparshme?

Drita Memeti: Migrimi i grave në Republikën e Maqedonisë së Veriut përbën një fenomen që kërkon vëmendje nga prizmi shkencor, për shkak të ndikimit që ka në shoqëri. Në këtë kontekst e rëndësishme për mua është këtë herë të shkoj një hap më tej, duke hulumtuar jo vetëm shkaqet dhe pasojat e migrimit por edhe fenomenin e integrimit të grave në shtetin gjerman.

Në kujtesën tonë shoqërore, migrimi është perceptuar dhe përfaqësuar tradicionalisht si një fenomen i lidhur kryesisht me burrat. Kjo nuk do të thotë se gratë nuk kanë qenë pjesë e proceseve migratore, por se në mënyrën se si migrimi është rrëfyer dhe përjetuar ndër breza, figura e burrit migrant ka zënë shpesh vendin qendror duke u llogaritu kështu migrimi si “punë burrash”. Gratë, nga ana tjetër, janë paraqitur më shumë në rolin e bashkëshorteve që në raste të rrallë u bashkoheshin partnerëve të tyre ose në rastet e zakonshme qëndronin në vendin e origjinës. Në këtë përfytyrim tradicional, burri konsiderohej kryefamiljar dhe prej tij pritej të siguronte kushte më të mira ekonomike për familjen duke u larguar jashtë vendit, ndërsa gruaja merrte përsipër kujdesin për shtëpinë, fëmijët dhe familjarët e tjerë dhe qëndronte në shtëpi.

Megjithatë, mënyrat e pjesëmarrjes së grave në proceset migratore kanë ndryshuar dhe pikërisht këto ndryshime i kanë hapur rrugë trajtimin shkencor të migrimit të grave. Në këtë drejtim përdoret edhe termi feminizimi i migrimit, i cili lidhet me praninë, pjesëmarrjen dhe rolin e grave në lëvizjet migratore. Viteve të fundit, përveç migrimit në kuadër të bashkimit familjar, gratë mund të migrojnë edhe në mënyrë të pavarur, për arsye ekonomike, arsimore ose personale. Kjo perspektivë e zgjeron mënyrën e trajtimit të migrimit, duke i konsideruar gratë jo vetëm si pjesëtare të familjeve migrante, por edhe si individë që marrin vendime dhe ndërtojnë përvojat e tyre migratore.

Portalb.mk: Pse po largohen gjithnjë e më shumë gra dhe vajza nga Maqedonia e Veriut? Sa ndikon gjendja ekonomike dhe sa ndikojnë pabarazia gjinore, mungesa e perspektivës profesionale dhe pozita e gruas në shoqëri?

Drita Memeti: Procesit të migrimit të grave i paraprijnë rrethana të ndryshme shoqërore dhe ekonomike, të cilat shpesh janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Pozita ekonomike e gruas mund të ndikojë në pozitën e saj shoqërore, sepse një grua që është e punësuar, ka të ardhura të mjaftueshme dhe është e pavarur ekonomikisht, ka më shumë mundësi për të marrë vendime për jetën e saj pa qenë e varur financiarisht nga burri ose bashkëshorti. Në të kundërt, mungesa e kësaj pavarësie ndikon që gratë ta shohin migrimin si një mundësi për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gratë janë dukshëm më pak aktive në tregun e punës se sa burrat. Shkalla e punësimit të grave në vitin 2023 ishte 37,9%, ndërsa 57,2% e grave ishin ekonomikisht joaktive. Për krahasim, në të njëjtin vit, shkalla e pjesëmarrjes aktive të burrave në tregun e punës ishte 53,2%, ndërsa shkalla e inaktivitetit të tyre ishte 38,0%. Ndryshimet në përqindjet e pjesëmarrjes së grave dhe burrave në tregun e punës çojnë në një hendek gjinor në shkallën e punësimit, i cili në vitin 2023 ishte 18 % (ESHS & UN Women, 2025). Këto dallime tregojnë se gratë dhe burrat nuk kanë të njëjtën pozitë në tregun e punës, gjë që edhe ndikon në vendimin e grave për të migruar.

Pabarazinë, diskriminimin dhe migrimin nga njëra-tjetra i ndan vetëm një hap i vogël, sepse shpeshherë funksionojnë edhe në një formë zinxhirore. Pabarazitë gjinore, së bashku me vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës profesionale, mund të jenë ndër faktorët që ndikojnë në vendimin e grave për t’u larguar nga vendi i origjinës drejt vendeve më të zhvilluara. Një vajzë apo grua vendos të ndryshojë mënyrën e të jetuarit atëherë kur në mjedisin ku po jeton nuk ndihet mjaftueshëm e vlerësuar ose nuk gjen mundësi për të realizuar synimet e saj.

Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë vazhdojnë ende të jenë të pranishme paragjykimet dhe stereotipet gjinore, të cilat ndikojnë në thellimin e pabarazisë gjinore. Në vendin tonë, vajzat dhe gratë ndodh të përballen me mendime të pabazuara në fakte reale, të krijuara dhe të trashëguara nga e kaluara, të cilat shoqëria shpesh i ka pranuar si të tilla. Këto paragjykime kufizojnë mundësitë e grave për të përmbushur nevojat, dëshirat dhe ambiciet e tyre dhe krijojnë pasiguri në jetën e tyre. Në rrethana të tilla, migrimi ka probabilitet që të shihet jo vetëm si një mundësi për të siguruar të ardhura më të mira, por edhe si një rrugë për të kërkuar një mjedis ku gratë do të ndihen më të pavarura, më të sigurta, më të vlerësuara dhe ku do të kishin më shumë mundësi për zhvillim personal e profesional.

Foto nga arkivi personal i Drita Memetit

Portalb.mk: Largimi drejt Gjermanisë shpesh shihet si mundësi për një jetë më të mirë, por sa përputhet kjo pritshmëri me realitetin? Me çfarë sfidash përballen gratë nga Maqedonia e Veriut gjatë integrimit, veçanërisht në punësim, njohjen e kualifikimeve, pavarësinë ekonomike dhe jetën shoqërore?

Drita Memeti: Migrimit zakonisht i paraprin një fazë përgatitore që ndryshe njihet edhe si faza “para migratore”. Gjatë kësaj faze, vajzat dhe gratë përgatiten si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht për t’u larguar nga vendi i origjinës në kërkim të një jete më të mirë. Është e natyrshme që gjatë kësaj periudhe të krijohen edhe pritshmëri për jetën në vendin pritës. Megjithatë, këto pritshmëri jo gjithmonë përputhen me realitetin, pasi pas mbërritjes në Gjermani gjegjësisht gjatë fazës “pas migratore” gratë mund të përballen me vështirësi që nuk i kishin parashikuar dhe nuk kishin qenë pjesë e pritshmërive të tyre. Faza pas migratore karakterizohet me procesin e integrimit. Procesi i integrimit është shumëdimensional duke filluar me njohjen e gjuhës dhe kulturës gjermane, njohjen e kualifikimeve profesionale që shpesh edhe nuk pranohen nga shteti pritës, mundësitë për punësim, pavarësinë ekonomike dhe rindërtimin e jetës shoqërore duke filluar nga e para.

Në këto rrethana, procesi i integrimit të grave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Gjermani vështirësohet edhe më shumë sepse nuk varet vetëm nga vullneti i tyre i lirë dhe përpjekjet për t’u përshtatur, por ai lidhet ngushtë edhe me mënyrën se si shoqëria pritëse i pranon dallimet kulturore, sa i kufizon paragjykimet dhe sa krijon mundësi për zhvillimin e ndjenjës së përkatësisë. Në shtete multikulturore, siç është edhe shteti gjerman, një grua që sapo ka migruar mund të përballet njëkohësisht me sfidën e ruajtjes së traditave të saj kulturore shqiptare, maqedonase, turke ose të një përkatësie tjetër, si dhe me nevojën për t’u përshtatur me normat dhe mënyrën e jetesës në shoqërinë gjermane. Në këtë aspekt, karakteri multikulturor i shoqërisë gjermane mund ta bëjë procesin e integrimit kompleks për shkak të dallimeve ndërmjet kulturave, por njëkohësisht mund ta lehtësojë atë, duke krijuar mundësi për pranimin e diversitetit dhe përfshirjen e grave migrante në shoqëri.

Një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit siç e cekëm më lartë luan edhe njohja e gjuhës gjermane, e cila lidhet jo vetëm me përshtatjen në jetën e përditshme dhe krijimin e marrëdhënieve shoqërore, por edhe me mundësitë për punësim. Gratë që përballen me vështirësi në përvetësimin e gjuhës hasin pengesa në përfshirjen e tyre në shoqërinë gjermane dhe në tregun e punës. Në raste të tilla edhe kur kanë kualifikime profesionale të fituara në vendin e origjinës, ato mund të detyrohen të punojnë punë që nuk përputhen me nivelin e arsimimit dhe aftësive të tyre. Këto situate shpesh nuk përputhën me pritshmëritë e krijuara gjatë fazës përgatitore të migrimit dhe ndodh të çojnë në dëshpërim ose me rikthim në vendin e origjinës.

Portalb.mk: Nga hulumtimet tuaja të deritanishme, a keni vërejtur ndryshime në profilin e grave që emigrojnë? A po largohen më shumë gra të arsimuara dhe të pavarura që kërkojnë zhvillim profesional, apo vazhdon të dominojë migrimi për bashkim familjar? Çfarë na tregon kjo për gjendjen e grave në vend?

Drita Memeti: Lëvizshmëria e popullsisë lidhet ngushtë me kushtet e vendit të origjinës dhe me mundësitë që ofrojnë vendi i destinacionit, që sot njihet si modeli i faktorëve shtytës dhe tërheqës (Push-Pull). Gjithmonë ka diçka që e shtyn njeriun për të migruar nga vendi i vet ashtu siç ka diçka që e tërheq për të migruar drejt vendit të huaj. Ajo që më së shumti i ka tërhequr gratë drejtë migrimit ka qenë bashkimi familjar. Bashkimi familjar si një koncept social përbën një nga format më të rëndësishme të migrimit ndërkombëtar dhe nënkupton procesin përmes të cilit anëtarët e familjes bashkohen me njëri-tjetrin në një vend tjetër, ku njëri ose disa prej tyre tashmë jetojnë ligjërisht. Përtej dimensionit juridik, bashkimi familjar ka rëndësi të veçantë shoqërore dhe emocionale, pasi u mundëson familjeve të ruajnë marrëdhëniet e tyre, të vazhdojnë jetën e përbashkët dhe të krijojnë kushte më të favorshme për integrimin në shoqërinë pritëse dhe si i tillë vazhdon të jetë një ndër faktorët dominantë të migrimit të grave.

Por ndër vite situata e migrimit ka ndryshuar. Sot gratë migrojnë edhe të vetme dhe të pavarura. Një faktor tjetër i shtyn drejtë migrimit është edhe qëllimi për tu arsimuar jashtë vendit. Migrimi për arsimim paraqet një formë të mobilitetit ndërkombëtar përmes së cilës migrantët synojnë të avancojnë formimin akademik dhe të zgjerojnë mundësitë e tyre profesionale dhe këtu bëjnë pjesë edhe gratë. Për gratë, kjo formë e migrimit krijojnë hapësira të reja për zhvillim personal e profesional dhe për zgjerimin e perspektivave të tyre të ardhshme.

Në këtë kuadër, Gjermania përbën një nga destinacionet e mundshme për vazhdimin e studimeve të larta për të rinjtë nga Maqedonia e Veriut, ku përmes programeve të ndryshme të shkëmbimit akademik dhe skemave të bursave krijohen mundësi të reja të migrimit. Përveç vajzave dhe grave që janë në proces të ngritjes akademike, dekadave të fundit është bërë i njohur edhe migrimi i personelit mjekësor. Shumë mjeke, infermiere dhe asistente mjekësore kanë zgjedhur që ta lëshojnë vendin e tonë për të kërkuar një të ardhme më të mirë në shtetin gjerman. Respektivisht, migrimi i infermiereve është veçanërisht i rëndësishëm edhe nga perspektiva gjinore, duke pasur parasysh përbërjen tradicionalisht të feminizuar të këtij profesioni, i cili në të shumtën e rasteve ushtrohet nga vajzat dhe gratë. Kjo lë të nënkuptohet se një numër i konsiderueshëm i vajzave dhe grave janë larguar jashtë vendit.

Portalb.mk: Migrimi masiv po lidhet gjithnjë e më shumë me rënien e natalitetit dhe zbrazjen e shkollave në Maqedoninë e Veriut. Sa serioze janë pasojat afatgjata të largimit të grave dhe vajzave dhe çfarë rrezikon vendi nëse ky trend vazhdon?

Drita Memeti: Migrimi masiv i të rinjve dhe rënia e natalitetit kanë një lidhshmëri reciproke e cila ndikon në tkurrjen e popullsisë dhe plakjen e saj. Këta dy komponentë demografikë janë të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën dhe si pasojë kontribuojnë në një tranzicion të theksuar demografik.Bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, vërehet një rënie e numrit të fëmijëve të lindur në vend dhe një rritje e numrit të fëmijëve të lindur jashtë vendit. Konkretisht, në Gjermani gjatë periudhës 2019–2025, janë regjistruar gjithsej 12.200 lindje të fëmijëve prindërit e të cilëve kanë vendbanim të regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, në vendin tonë numri i fëmijëve të lindur gjatë vitit 2025 ishte 15.850, ndërsa, po t’u referohemi të dhënave të vitit 2019, ky numër ishte 19.845 fëmijë të lindur në RMV. Kjo tregon një rënie të ndjeshme të numrit të lindjeve brenda vendit. Si rezultat i kësaj dukurie përballemi edhe me pasoja të tjera demografike dhe shoqërore, siç është zvogëlimi i numrit të nxënësve nëpër shkolla. Vetëm gjatë vitit 2026 janë mbyllur përkohësisht 26 shkolla fillore periferike, ndërsa numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë ka shënuar një rënie prej rreth 3.000 nxënësish krahasuar me vitin paraprak.

Portalb.mk: A po bëjnë institucionet e Maqedonisë së Veriut mjaftueshëm për t’i mbajtur gratë dhe vajzat në vend? Çfarë duhet të ndryshojë konkretisht në politikat shtetërore dhe a besoni se gjetjet e hulumtimit tuaj mund të ndihmojnë në hartimin e masave që adresojnë shkaqet e emigrimit, e jo vetëm pasojat e tij?

Drita Memeti: Në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht janë hartuar dokumente strategjike për menaxhimin e migracionit, përfshirë Rezolutën për Politikën e Migracionit 2015–2020 dhe Rezolutën për Politikën e Migracionit 2021–2025. Krahas këtyre politikave kombëtare, rëndësi ka edhe perspektiva ndërkombëtare e barazisë gjinore. Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, e miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2015, e cila thekson fuqizimin e grave dhe vajzave, si dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike.

Këto janë disa hapa të rëndësishëm por jo edhe të mjaftueshëm. Nuk mjafton vetëm që  strategjitë të hartohen në letër sepse kjo nuk e ndihmon mjaftueshëm procesin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe nuk e rrit sigurinë për gratë. Nevojiten masa të tjera të cilat edhe do të mbështesnin drejtpërdrejtë gratë sidomos ata të cilat bëjnë punë të pa paguar dhe në një far forme e ndihmojnë ekonominë e vendit, kjo do të bënte që gratë të ndiheshin më të vlerësuara në aspektin social edhe në atë ekonomik, gjë që do të ndikonte edhe në pavarësinë e tyre ekonomike duke bërë kështu të ndihen më të barabarta me burrat.

Është e domosdoshme që institucionet publike të fuqizojnë përpjekjet për eliminimin e diskriminimit dhe të sigurojnë qasjen në të drejta të barabarta për gratë, të reduktojnë dhe të mbyllin hendekun gjinor duke përfshirë gratë në punësimin formal, shoqëruar me përmirësimin e mundësive të tyre për harmonizimin e jetës profesionale me detyrimet familjare. Në të kundërtën do të vazhdojnë lëvizjet migratore të grave në kërkim të kushteve më të volitshme, kurse vendi jonë të ballafaqohet me pasojat si rënia e natalitetit, mbyllja e shkollave, mungesa e personelit mjekësor, etj.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajme