Nafta sërish mbi 100 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës sot u rritën sërish në tregjet ndërkombëtare, ndërsa një fuçi naftë e tipit Brent kaloi 100 dollarë, pas sulmeve të reja ndaj cisternave në Gjirin Persik dhe pasigurisë së shtuar rreth luftës në Iran, raportojnë mediat perëndimore.

Sipas të dhënave nga tregtimi i sotëm, nafta e Detit të Veriut, Brent, u shtrenjtua për 2,1 përqind, duke arritur në 100,34 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane WTI u rrit për 1,6 për qind, në 92 dollarë, raportoi NBC.

Shkaku kryesor i rritjes janë shqetësimet për ndërprerjen e furnizimeve nga Lindja e Mesme. Të paktën pesë anije kanë raportuar incidente që nga fillimi i javës, duke shtuar më tej shqetësimet për sigurinë e transportit nëpër Ngushticën strategjike të Hormuzit.

Më herët, të dielën, çmimet e dy llojeve kryesore të naftës kishin rënë për më shumë se tetë për qind, për shkak të shpresave për uljen e tensioneve me Iranin dhe normalizimin e furnizimeve. Megjithatë, incidentet e reja kanë rikthyer shqetësimet në tregje, raportoi BBC.

Çmimi i naftësNafta