Nga Mitrovica në Operën Mbretërore të Danimarkës, Granit Musliu: Asnjë rrugë nuk është e pa arritshme

Në një kohë kur shumë artistë luftojnë të dëgjohen edhe brenda vendit, Granit Musliu ka arritur atë që pak e bëjnë, të depërtojë me zërin e tij aty ku konkurrojnë më të mirët në botë. Tenori nga Kosova, me një timbër që të rrëqeth dhe një interpretim që të mban “peng” deri në notën e fundit, po ndërton një rrugëtim që po e bën emrin e tij gjithnjë e më të njohur në skenën operistike. Në intervistë për Portalb.mk, Musliu foli për sakrificën që fshihet pas suksesit, për emocionin që sjell skena dhe për peshën që ka. 

Portalb.mk: Si arritët të debutoni në Operën Mbretërore të Danimarkës, një institucion me traditë shekullore, na trego pak për këtë përvojë?

Granit Musliu: Pas shfaqjeve të suksesshme dhe një karrierë që po shkon e rritet, Opera Mbretërore e Danimarkës më bëri ftesë për rolin e Duca di Mantova të operës Rigoletto të Giuseppe Verdit. E gjitha deri tani së bashku me provat skenike e ato muzikore kanë shkuar shumë bukur, në një atmosferë pune të kualitetit më të lartë profesional.

Portalb.mk: Ti vjen nga skena operistike gjermane dhe tash po “depërton” edhe në Danimarkë. A ndryshon kultura e teatrit (disiplina, pritjet, publiku) nga Gjermania në Skandinavi? Çfarë të ka befasuar?

Granit Musliu: Në Gjermani ku kam nisur karrierën time, e posaçërisht në Mynih, niveli i punës është masiv dhe mban mbi vete rreth 40 produksione të ndryshme dhe mbi 200 shfaqje në vit. Aty mësova nivelin më të lartë të këtij arti, dedikimin dhe kualitetin që një artist duhet të ketë për një karrierë të madhe e të respektuar. Në Danimark, niveli është i njejtë sepse ky teatër me histori të gjatë mbështetet si institucion kyq artistik i vendit, ndonëse në krahasim me Mynihun në këtë teatër jepen rreth 16 produksione në vit. Befasia e mirë e këtij teatri është publiku në masë, ku pothuajse të gjitha shfaqjet janë gjithmonë soldout.

Foto nga arkivi personal i tenorit Granit Musliu. Foto: Granit Musliu

Portalb.mk: Në sezonin 2025–2026 po i prek tre role shumë të rëndësishme: Fenton, Alfredo, pastaj Duca. Çfarë të mëson secili rol për zërin tënd, dhe cili të “zbulon” më shumë si artist?

Granit Musliu: Sezonin 25/26 e fillova me Fenton në Falstaff, në Staatsoperen e Hamburgut, të cilin e ndjek pastaj roli i Alfredo Germont në Bayerische Staatsoper në Mynih, për të ardhur te Duka di Mantova tani në Kopenhagë. Të gjitha këto role të cilat janë debutime, janë një hap i madh personal në repertorin e tenorit lirik. Rëndësia ka ardhur shumë bukur, për shkakun që të treja janë role me kërkësa të madhe vokale, pastaj ato skenike, meqë rolet janë thuajse titulli i Operës, je tenori i parë! Si artist ti hyn në botën e mrekullueshme të interpretimit të storjeve të cilat kanë kërkesa portretizimi të karakterit, një botë e cila duhet të jetë mbushur me momentet, idetë dhe stilin e jetës së secilit rol, i cili në fakt kërkon shumë studim.

Portalb.mk: Je pjesë e ansamblit të Bayerische Staatsoper që nga audicioni i vitit 2021 dhe ke punuar me dirigjentë të mëdhenj. Cili ka qenë mësimi më i fortë që e ke marrë nga një dirigjent, diçka që ta ndryshoi mënyrën si këndon?

Granit Musliu: Jam me fat që kam filluar karrierën në Mynih, meqë siç thash është një nga qendrat më të respektuara në botë, duke pranuar rreth 600.000 vizitor në një kalendar operistik. Kjo nënkupton prap siç thash kërkesën e nivelit më të lartë të një kasti, kështu duke përfshirë dirigjentët më të mirë që bota e operës ka, siç jane Vladimir Jurowski, Marco Armiliato, Daniele Rustioni e shumë të tjerë, e që me të gjithë këta kam bërë role të ndryshme deri tani. Këshilla dhe mësimet që këta njerëz të medhenjë japin, është mënyra e perceptimit muzikor të një roli specifik. Mund të përmend këtu kënaqësinë e një bashkëpunimi me dirigjentin e madh Marco Armiliaton, nga pervojat e të cilit mësova sa e thellë është ndjenja e këtij arti hyjnor dhe sa e rëndësishme është prekja jote personale emocionale me to!

Portalb.mk: Ka role që të rrisin shpejt, por edhe të rrezikojnë nëse merren herët. Si e di kur një rol është “koha e duhur” për zërin tënd, dhe a ke refuzuar ndonjë rol pikërisht për këtë arsye?

Granit Musliu: Rolet që të rrisin shpejtë janë ato kur merr mbi supe një përgjegjësi, pa qenë i sigurt nëse je ende ku duhet me maturi dhe fizikisht. Ndër to ka qenë definitivisht Duca, mirëpo që gjithmonë kam pasur një besim të madh që ky rol i shkon përshtati zërit tim, ndonëse është një rol lirik me kërkesa të larta për një tenor lirik. S’doli gabim parashikimi im dhe i ekipit tim sepse ky rol me të vërtetë i përshtatet zërit tim dhe rritë aftsinë vokale për të shkuar para në repertorin lirik. Megjithatë, unë kam një nuhatje të mirë kur vjen tek qështja e pranimit të roleve apo jo, duke njohur mirë se në cilën pikë maturie ndodhet zëri im dhe ku do jem pas disa viteve.

Foto nga arkivi personal i tenorit Granit Musliu. Foto: Granit Musliu

Portalb.mk: Opera sot po përballet me nevojën për t’u afruar me publik më të ri. Si artist i gjeneratës së re, a ndjen presion të jesh edhe interpretues, edhe “komunikues” i operës jashtë skene? Si e balanson këtë?

Granit Musliu: Si çdo art tjetër i cili është në sfidë me kapjen e kohës moderne edhe Opera besoj se ka gjetur mënyra të ndryshme të afrohet me publikun, siç janë shfaqjet me inskenime moderne të kohës në vepra të shkruara mbi 100 vite më parë. Fatmirësisht në Gjermani dhe jo vetëm, ruhet dhe promovohet denjësisht arti operistik dhe muzika klasike në përgjithësi, duke pasur financimin enorm nga shteti, sepse ky art siç ka dëshmuar gjithmonë, ka ndikim të pakrahasueshëm në jetën dhe zhvillimin social kulturor të shoqërisë.

Portalb.mk: Je i lindur në Mitrovicë dhe sot po interpreton në skenat më të mëdha. Çfarë do t’i të rinjve që kanë zë, por s’kanë rrugë të shtruar, cili është hapi i parë real, jo romantik, për t’u bërë profesionist?

Granit Musliu: Fakti që jam nga Mitrovica dhe atë nga një fshat i saj besoj se tregon që mjafton të punosh dhe të duash atë që bën, sepse asnjë rrugë nuk është e paarritshme kur ekziston vullneti, zjarri dhe dedikimi për të prekur dhe arritur në këto skena. Rrugëtimi nuk është asnjëherë i lehtë, vjen me sfida, refuzime e shumë gjëra të tjera që nuk i imagjinon pa i rrugëtuar, por ëndrra ime ka qenë e madhe dhe endrrën nuk ma shuajti askush. Atë e realizon puna kolosale. Këtë më së miri e dëshmon çmimi që më është akorduar nga Ministria e Kulturës së Gjermanisë, duke vlerësuar rritjen time të shpejtë me paraqitje të roleve të para dhe ndikim në skenën kulturore Gjermane, Ministri i shtetit për Kulturë, z.Markus Blume, me akordon çmimin Kunstforderpreis 2025.

Foto nga arkivi personal i tenorit Granit Musliu. Foto: Granit Musliu
IntervistëKosovaKultura shqiptareKulturë lajme