Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja do të zhvillojnë bisedime në nëntor, paralajmëroi Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet në nivel teknik, ku do të marrin pjesë Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, me synimin për t’i dhënë fund luftës, do të zhvillohen në Abu Dabi nga 6 deri më 10 nëntor, raporton Radio Evropa e Lirë.

Duke folur në një konferencë për media në Hagë më 28 tetor, Zelensky tha se mundësia e një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, mbetet e pasigurt.

“Nuk e di se kur do të kemi një takim me Rusinë në nivel udhëheqësish”, tha ai. “Për momentin, pavarësisht respektit që kemi për vende të ndryshme, kjo varet nga pala ruse, sepse ata nuk e kanë mbështetur kurrë më parë këtë ide”.

Deklarata e presidentit ukrainas ishte përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili u tha gazetarëve më herët gjatë së njëjtës ditë se një takim mes Zelenskyt dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, do të organizohej “shumë shpejt”.

Trump nuk saktësoi ndonjë datë apo vend për takimin e mundshëm, por shtoi se “mund të arrihet shumë përparim në këtë drejtim”.

Samiti i G20-s, i cili mbahet në Florida në dhjetor, paraqet mundësi për një takim të drejtpërdrejtë mes udhëheqësve ukrainas dhe rusë. Megjithatë, Putini ende nuk i është përgjigjur ftesës së Shteteve të Bashkuara, ndërsa ai dhe Zelensky kanë qëndrime dukshëm të ndryshme sa i përket mundësisë së një takimi të tillë.

Putini është përpjekur ta vërë në dyshim legjitimitetin e Zelenskyt dhe ka deklaruar vazhdimisht se presidentët mund të takohen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe. Megjithatë, ai ka sugjeruar gjithashtu se mund të takohet me Zelenskyn në Moskë.

Kremlini e di se mundësia e mbajtjes së një takimi në kryeqytetin e vendit që po sulmon Ukrainën është e papranueshme për Kievin. Zelensky ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me Putinin në një vend të tretë dhe ka thënë se çështjet thelbësore, si ajo e territoreve, mund të zgjidhen vetëm në nivelin e udhëheqësve.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë vetëm një ditë pasi presidenti finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, zhvilluan një bisedë telefonike 90-minutëshe me Putinin ku diskutuan për pushtimin rus të Ukrainës. Udhëheqësit nordikë zhvilluan bisedë telefonike edhe me Zelenskyn.

Në një njoftim për media, Stubb theksoi se “diskutimi ishte i hapur dhe përmbajtësor”.

“Ne jemi vende fqinje me Rusinë. Përfundimi i kësaj lufte do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë dhe në atë të Evropës në tërësi. Për t’i dhënë fund luftës nevojiten diskutime të drejtpërdrejta”, shtoi presidenti finlandez.

Donald Tramp (Trump)Lufta në UkrainëRusiaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)UkrainaVladimir PutinVladimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy)