Nga fusha sportive e dëmtuar në deponi dhe parking, oborri i Gjimnazit të Tetovës në gjendje alarmante (Video)

Asfalt i çarë, mungesë e rrjetave të shtyllave të futbollit, qen endacak, mbeturina ndërtimore dhe parking pa leje të komunës derisa nxënësit janë në shkollë. Ky është realiteti i oborrit të pasëm në Gjimnazin e Tetovës ‘Kiril Pejçinoviq’ i cili është lënë me dekada pa investime. Nxënësit kërkojnë që ky terren sportiv të rregullohet. Ndonëse këshilltari i Më Mirë për Tetovën dorëzoi propozim konkret në komunë, ai nuk u pranua, ndërsa komuna paralajmëroi zgjidhje, por pa afat konkret, shkruan Portalb.mk.

Përveç problemeve infrastrukturore, hapsira e pasme e oborrit të gjimnazit është shndërruar edhe në parking gjatë kohës kur nxënësit janë në shkollë dhe e njëjta shfrytëzohet edhe nga banorët e lagjes.

Por për këtë, kreu i Komunës së Tetovës na tha se nuk është i njoftuar dhe se komuna nuk ka dhënë leje që hapsira të shfrytëzohet si parking gjatë periudhës së shkollës.

Lidhur me këto probleme, Portalb.mk bisedoi me disa nxënës të Gjimnazit të Tetovës. Ata thonë se duhet terreni sportiv të rregullohet.

“Kjo hapsirë nuk i plotëson kushtet minimale për shfrytëzimin e një hapsire sportive dhe ka shumë pengesa, qentë endacakë, shfrytëzohet si parking publik edhe pse nuk është, mendoj se duhet të fillohet zhvillimi i kësaj hapsire”, tha një nxënës.

“Që katër vite jam këtu dhe mendoj se do ishte dashur të rregullohet kjo prej më parë dhe nuk mendoj se do rregullohet tani. Ka filluar rikonstruimi i sallës, nuk e dimë si është bërë brenda çfarë ka ndodhur, brenda e shohim se ka disa renovime por jashtë nuk është bërë asgjë. Mendoj se po (duhet të restaurohet terreni sportiv), nëse nuk rregullohet për aktivitete sportive le ta bëjnë parking, kjo ka ngelur as këndej as andej”, tha një maturant.

“Këtu nuk ka rini që plot vite, unë jam katër vite këtu, asnjëherë nuk kam parë një njeri të luajë këtu. Ne kemi edhe një muaj shkollë, edhe për një muaj dit ju lutem mos na mbyllni parkingun”, tha një tjetër nxënës.

Këtë problem së fundmi e ka riaktualizuar edhe këshilltari komunal Agron Arifi nga nisma qytetare ‘Më Mirë për Tetovën’. Ai thotë se investimi i fundit është bërë në vitin 1998.

“Që atëherë kanë kaluar 5 kryetarë komunash në 7 mandate, gati 28 vite që nuk është bërë asnjë investim. Terreni momentalisht është jofunksional, është shndërruar në parking veturash, çerdhe e qenve endacakë që i rrezikojnë nxënësit he fëmijët. Mendoj se është urgjencë që kjo çështje të rregullohet sa më shpejtë”, tha Arifi.

Për më tepër, në seancën e shtatë të Këshillit Komunal ku u debatua për buxhetin e vitit 2026 të Komunës së Tetovës i cili kap vlerën prej 44.7 milionë euro, Arifi dorëzoi amendament me të cilin kërkoi që 105 mijë euro (6.500.000 denarë) të ndahen për rikonstruimin e terrenit sportiv të Gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’.

Por një propozim i tillë nuk u pranua nga shumica e Këshillit Komunal, ku në mesin e këshilltarëve është edhe një profesoreshë e kësaj shkolle si dhe disa ishnxënës.

Foto: Më Mirë për Tetovën

Arifi tha se ka një deklaratë se pritet një donacion për rikonstruimin e kësaj fushe sportive.

“Por duke e marrë parasysh se buxheti i Komunës së Tetovës është 44.7 milionë euro mendoj se nuk duhet të presim nga dikush tjetër donacion, mendoj se Komuna e Tetovës duhet të realizojë investime në fushat sportive që të rinjtë t’i shfrytëzojnë këto terrene. Shpresoj se një gjë e tillë do të realizohet në një kohë më të afërt nga autoritetet komunale”, tha Arifi.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami i pyetur për këtë çështje tha se kanë jo vetëm plan por edhe projekt konkret, por nuk dha afat realizimi.

“Kemi një komunikim me Halk Bank që ata të investojnë në një projekt të tillë. Projekti është dërguar dhe presim përgjigje. Do shohim se deri në cilën masë do të jetë përkrahja apo donacioninga banka, nëse do mbulojë të tërën mirë nëse jo pjesën tjetër do ta sigurojë komuna, pra shumë shpejtë edhe terreni i gjimnazit do jetë terren me të gjitha kushtet”, tha Kasami.

Ndryshe, pavarësisht restaruimit të disa terreneve sportive, disa shkolla në Tetovë ende mbeten me terrene sportive të dëmtuara dhe pa salla sportive.

 

 

Storja u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.

Gjimnazi në TetovëIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e TetovësNxënës të shkollave të mesmeTë rinj - Rini - Rinia