Spanjollët po votojnë këtë të diel për zgjedhjet që do t’i japin formë të ardhmes politike të vendit. Votimi mund t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie të re, me liderin e opozitës Alberto Núñez Feijóo si kryeministër dhe të djathtën ekstreme që mund të hyjë në qeveri për herë të parë që nga fundi i diktaturës së Franco, transmeton Euro News Albania.
Në rast të kundërt, vendi mund të ketë Pedro Sanchez, në pushtet që prej 2018-s, sërish në krye të qeverisë me një mandat të ri.
Zgjedhjet vijnë pas një periudhe të vështirë të karakterizuar nga pandemia, kriza energjetike, inflacioni në rritje, kriza migratore, përmbytjet shkatërruese në Valencia dhe blackout-i energjetik i vitit 2025.
Gjithashtu, strehimi, emigracioni, ekonomia dhe dyshimet për korrupsion tek njerëz të afërt me kryeministrin kanë dominuar fushatën elektorale.
Rreth 38 milionë e 616 mijë spanjollë gëzojnë të drejtën e votës, thuajse 1.15 milionë më shumë se në korrik të 2023-shit. Nga këta, mbi 2.6 milionë jetojnë jashtë vendit, ndërsa 1.6 milionë do të mund të votojnë për herë të parë.
Votuesit do të zgjedhin 350 anëtarë të Kongresit dhe 209 senatorë, përmes 61 mijë e 33 qendrave të votimit të ngritura dhe rreth 210 mijë kutive të përhapura në shkallë vendi. Ndërkohë, buxheti i procesit elektoral ka shkuar mbi 243 milionë euro.
Për herë të parë, votuesit do të mund të përdorin kartat digjitale të identitetit përmes aplikacionit MiDNI. Ministria e Brendshme ka shpërndarë mbi 60 mijë kode QR në qendrat zgjedhjore për të mbështetur sistemin e ri.
Ministria e Brendshme ka mobilizuar mbi 100 mijë policë për të garantuar sigurinë. Prania më e madhe e agjentëve rezulton në Andaluzi, Madrid dhe Katalonjë.