Nesër në Qendrën për Kulturë në Dibër, me fillim nga ora 10:00, fillon manifestimi “Janari në festën e filmit shqiptar” pas Pragës në Çeki vazhdon në Dibrën e Madhe në Maqedoni të Veriut. Prej nesër (23 janar) deri më 25 janar do të shfaqen filma të ndryshëm shqiptarë, transmeton Portab.mk.
E ftuar speciale në natën e parë të aktivitetit Kinematografik “Janari në festën e filmit shqiptar” në Dibrën e Madhe të Maqedonisë së Veriut do të jetë artistja e mirënjohur Irma Libohova.
Aktiviteti “Janari në festën e filmit shqiptar” nisi nga qyteti i Gjirokastrës, ku filmat u shfaqën për publikun në kinemanë e këtij qyteti. Mes filmave që u shfaqën ishte edhe dokumentari “Bekim Fehmiu” me regji nga Valmir Tretini dhe skenar të Fahri Musliut.
Ky dokumentar e ka pasur premierën në Tiranë dhe Kosovë. Filmi dokumentar për aktorin Bekim Fehmiu është shfaqur edhe në disa shtete të tjera, ku janë realizuar dhe xhirimet e tij, por u shfaq për herë të parë në Gjirokastër.
Aktiviteti “Janari në festën e filmit shqiptar” vijoi në datat 10-11-12 janar në qytetin e Gjirokastrës, 17-18-19-20 janar në Pragë- Çeki dhe do të përfundojë ditët me filmat shqiptarë në Dibër të Madhe.
Ky aktivitet mbështetet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë Shqiptare.