Nëse injektohen gabimisht në fytyrë, preparatet estetike mund të shkaktojnë nekrozë të indeve

Silikoni i lëngshëm, biopolimerët dhe produktet e paregjistruara mund të shkaktojnë migrim të materialit, granuloma, inflamacion kronik, dëmtime të enëve të gjakut dhe deformime të përhershme, transmeton Telegrafi.

Preparatet e papërshtatshme dhe të pasigurta në mjekësinë estetike, si silikoni i lëngshëm dhe biopolimerët, mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme. Kur injektohen në fytyrë, sidomos në buzë, faqe apo zona të tjera të ndjeshme, ato mund të shkaktojnë komplikime serioze, disa prej të cilave mbeten të përhershme.

Bëhet fjalë për materiale që nuk shpërbëhen lehtë nga organizmi dhe që, në shumë raste, nuk janë të miratuara për përdorime të tilla estetike. Për këtë arsye, specialistët i konsiderojnë si një lloj “bombe me sahat” në trup. Pasojat mund të shfaqen menjëherë, por edhe pas disa muajsh apo vitesh, duke lënë deformime, nyje të forta, dhimbje, inflamacion dhe shenja të dukshme në fytyrë.

Sipas U.S. Food and Drug Administration, rreziku më serioz i fillerëve dermalë është injektimi i paqëllimshëm në enë gjaku. Në raste të tilla mund të bllokohet qarkullimi, të zvogëlohet furnizimi i indeve me gjak dhe të shfaqet nekroza, pra vdekja e indit. Në raste të rralla, por shumë serioze, janë raportuar edhe dëmtime të shikimit, verbëri dhe goditje në tru.

Shëndetësi - Shëndeti