Obeziteti i’u kushton ekonomive evropiane miliarda euro çdo vit

Obeziteti dhe mbipesha po i kushtojnë ekonomive evropiane miliarda euro çdo vit, duke përbërë një barrë ekonomike të krahasueshme, në disa vende, me shpenzimet për mbrojtjen apo strehimin, transmeton Euro News Albania.

Sipas një raporti të ‘Office of Health Economics’, të financuar nga industria farmaceutike evropiane , kostot e lidhura me mbipeshën dhe obezitetin arrijnë nga 0.7 deri në 1.4 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në tetë vende të analizuara. Në vitin 2024, rreth 26 përqind e të rriturve në Evropë jetonin me obezitet, ndërsa 30 përqind të tjerë ishin mbipeshë.

Krahasuar me vitin 1990, mbipesha dhe obeziteti janë rritur me 22 përqind, ndërsa obeziteti vetëm me më shumë se 75 përqind. Kostoja vjetore varion nga 2.5 miliardë euro në Rumani, në 55.2 miliardë euro në Gjermani. Në Mbretërinë e Bashkuar arrin në 43.2 miliardë euro, ndërsa në Spanjë, Itali dhe Francë rreth 20 miliardë euro për secilin vend.

Vetëm në tetë vendet e studiuara, obeziteti dhe mbipesha lidhen me 278 mijë vdekje dhe humbjen e 8 milionë viteve jetë të shëndetshme. Raporti thekson se kostot nuk kufizohen vetëm te shëndetësia, por përfshijnë edhe mungesat në punë, mosaktivitetin ekonomik, kujdesin informal dhe vdekjet e parakohshme. Ekspertët bëjnë thirrje për forcimin e parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit, si dhe për njohjen e obezitetit si sëmundje.

Shëndetësi - Shëndeti